​Përplasje për marrëveshjen ndërkombëtare, Hoti: Kurrë në historinë tonë nuk është marrë kredi për ndihma sociale

Aktuale

​Përplasje për marrëveshjen ndërkombëtare, Hoti: Kurrë në historinë tonë nuk është marrë kredi për ndihma sociale

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 15:38
Foto nga takimi

Mes kritikave të opozitës është miratuar marrëveshja ndërkombëtare për reformë në skemat sociale në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati gjatë arsyetimit të këtij projektligji para deputetëve ka thënë se kjo marrëveshje është për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale dhe pensionale në Kosovë, dhe sipas tij nuk është kredi për skemat sociale.

Murati: Marrëveshje nuk është kredi për skemat sociale

Për më tepër marrëveshja parasheh edhe një pjesë që është rimbursim apo kompensim -mbështetje buxhetore për shpenzimet tashme të ndodhura që janë bërë për skema pensionale. Këtu duhet ta sqarojë, sepse shpesh herë po thuhet që është kredi për skemat sociale. Këto shpenzime kanë ndodhur, madje nga qeveria e kaluar”, theksoi Murati.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala ka kritikuar marrëveshjen për kredi 47 milionë eurosh.

Shala: Mjete ka boll pse po e rritni borxhin e shtetit

Mjete ka mjaft, madje s’keni mundur me i harxhu as për investimet kapitale dhe as për shumë kategori të tjera. Pse duhet ju me hy kredi, me rritë borxhin e shtetit për me fillu reformën e skemave sociale kur mjetet janë në konto të shtetit”, tha Shala.

Kundër kësaj marrëveshje ishte edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti.

Deputeti Hoti tha se nga kjo marrëveshje, 15 milionë euro janë për mbështetje direkte buxhetore, që sipas tij janë të panevojshme.

Ministri Murati qeshi me komentet e ish-kryeministrit Hoti, por ky i fundit kërkoi nga ai të jetë më serioz.

Hoti: Kemi bilanc bankar 800 milionë e po marrim kredi, ministër bëhu serioz kur flet me mua

Kemi një bilanc bankar të qeverisë që shkon deri në 800 milionë euro, ndërkohë që ne po marrim kredi për mbështetje direkte buxhetore. Ka qenë e nevojshme në qeverinë paraprake kur është negociuar me i marrë këto mjete, sepse ka qenë minus 600 milionë gjatë vitit 2020, por jo në tetorin e vitit 2022. Kurrë në historinë 22-vjeçare të shtetit të Kosovës nuk është marrë ndonjë kredi për të paguar ndihmat sociale. Ju mund të qeshni, por kjo është e vërteta. Jeni duke iu shkuar gjërave komplet kontra. Nuk është menaxhim financiar. Për të tretën herë ministër e sjellin në kuvend një marrëveshje që të refuzohet Ndoshta ka deputet që binden me fjalët e juaja, që ne po marrim kredi, por borxhi s’po rritet. Kjo është lojë fjalësh. Ti mundesh me qëndrua me mentalitetin e korrikut të vitit 2020, kanë ndërruar rrethanat. Në tetor të vitit 2022 po flasim për bilanc bankar të qeverisë dy fish se sa në të gjitha vitet paraprake. Mund të jetë përafërisht, një fish ose 700-800 milionë. Veç bëhu serioz kur flet me mua. E presim raportin 9-mujor tash kur të na vjen”, tha Hoti.

Edhe nënkryetari i këtij Komisioni, Mërgim Lushtaku ka kërkuar reflektim nga qeveria për të tejkaluar siç tha ai këtë ngërç edhe në seancë plenare. Teksa ministrin e Murati e quajti arrogant.

Lushtaku: Më shqetëson arroganca e ministrit

Herën e kaluar ne kemi votuar pro në këtë Komision, por më shqetëson arroganca e juaj në kuptimin që çdo herë po sjellin dokument pa bërë reflektime në ndryshimet që kërkohen. Prandaj, për këtë marrëveshje të rëndësishme duhet të reflektojë edhe qeveria për kërkesat e deputetëve… Kështu që na pengon qasja juaj si ministër dhe si qeveri që nuk po reflektoni… Në kuvend të Kosovës nuk ndryshohet kjo marrëveshje edhe nëse ka vullnet. Prandaj nuk mundemi ne ta votojmë një marrëveshje të tillë… Ne në këtë rast do të abstenojmë”, tha ai.

Edhe dy deputetët nga Vetëvendosje, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani kanë kërkuar reflektim nga Ministria e Financave, veçanërisht për 15 milionë eurot e kësaj kredie, në mënyrë që ta këtë mbështetjen edhe të opozitës meqë kërkohen 2/3 e votave në Kuvend.

Korenica: Kot ne flasim nëse nuk gjejmë një gjuhë të përbashkët me opozitën

Ky është halli im, kot ne nga tri katër orë flasim nëse nuk kemi mbështetjen e opozitës dhe nuk kalon. Me gjetë një formulë të përbashkët që edhe me pasë mbështetjen e opozitës, por në të njëjtën kohë edhe këto 15 milionë euro t’i shërbejnë prapë reformës”, theksoi Korencia.

Ministri Murati pranoi vërejtjet e bashkë partiakëve të tij dhe tha se mund të ridestinohen 15 milionë euro për sektorin privat.

Murati: Vërejtje me vend nga pozita

Vërejtje me vend. Ky 15 milionë euro që rimburësohet në bilancin buxhetor, na e mundëson neve si qeveri që të orientojmë këto mjete në prioritete shtesë. Dhe një nga mundësitë do të ishte mbështetja e sektorit privat”, tha ai.

Por deputeti Avdullah Hoti tha se është i vonshëm ridizajnimi i kësaj marrëveshje, pasi që është e nënshkruar tashmë me Bankën Botërore.

Hoti: Tash është vonë për ndryshime, s’keni pasur aftësi ta rinegocioni me BB-në

Nuk ndryshohet tash në këto faza, e ka pasur mundësinë ministri dy herë me ndryshu… Është e qartë që nuk keni pasur aftësi që këtë marrëveshje me ri-negociuar edhe një herë me Bankën Botërore. Ua ka lënë në dorë si me thënë Banka Botërore, por ju duhet ta pranoni faktin që s’keni nevojë për financim, por që u ka mbetur në derë”, theksoi Hoti.

Ndërsa, Komisioni me shumicë votash pos kësaj për reformë për skemat sociale, miratoi edhe tri marrëveshje të tjera ndërkombëtare.

Kurse, Raporti Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 është shtyrë për shqyrtim për javën tjetër, sikur edhe për atë për Fondin e Kursimeve Pensionale për vitin 2021.

Ndërsa, me shumicë votash Komisioni miratoi Raportin Vjetor Financiar të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat