Tahiri: Ky veprim i Qeverisë është moralisht i gabuar sepse i ndëshkon mësuesit dhe familjet e tyre

Aktuale

Tahiri: Ky veprim i Qeverisë është moralisht i gabuar sepse i ndëshkon mësuesit dhe familjet e tyre

Nga: M.L. Më: 6 tetor 2022 Në ora: 10:38
Xhafer Tahiri

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri ka thënë se mos pagesa e mësimdhënësve është padrejtësi, veprim i pa ligjshëm dhe moralisht vendim i gabuar i Qeverisë.

Në një postim në Facebook Tahiri konsideron se është padrejtësi sepse ligji është zbatuar ndryshe për mësimdhënësit e ndryshe për punëtorët e sektorit publik dhe të gjykatave të cilët janë paguar edhe pse kanë qenë në grevë; pra pa drejtësisht është bërë ndëshkimi selektiv por kolektiv vetëm i mësimdhënësve.

“Para ligjit të gjithë janë të barabartë.

Pse nuk e publikon Qeveria Vendimin për ndaljen e pagës bashkë me arsyetim ligjor? SEPSE nuk ka vendim të bazuar në ligj që e lejon këtë veprim të Qeverisë. Mësimdhënësit kanë kontrata me Komunat, jo me Qeverinë, rrjedhimisht Qeveria nuk mundet me ja ndal pagën mësuesëve sepse nuk kanë kontratë me mësuesit. Për më tepër greva fillimisht duhet të shpallet e pa ligjshme që të ketë drejtë ligjore të veprimit në bazë të ligjit për greva. Ligji për greva në dy nene ka konflikt lidhur me interpretimin e tij, për këtë arsye Qeveria nuk ka të drejtë ta interpretoj në atë mënyrë që të ndëshkoj mësimdhënësit pra në dëm të tyre. Kujtojmë këtu parimin qe kryesisht vlen në të drejtën penale In dubio pro reo, (në rast dyshimi, atëherë për të akuzuarin) por që në mënyrë analoge mund të vlejë edhe për ligjin për greva”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai ka theksuar, Qeveria nuk mundet me ua ndal të ardhurat mbi 20 mijë familjeve të mësimdhënësve në kohën e krizës më të madhe, edhe nëse ligji ja lejon, prandaj ky veprim i Qeverisë është moralisht i gabuar sepse i ndëshkon mësuesit dhe familjet e tyre duke i lënë pa të ardhura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat