Presidentja Vjosa Osmani dje në Pragë është takuar me kryeministren e Islandës Katrin Jakobsdottir, vendi i së cilës nga nëntori do ta marrë kryesimin e Këshillit të Europës ku Kosova ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për t’u bërë shtet anëtar.
Për këtë takim ka njoftuar kryeministrja islandeze, e cila tha se me Osmanin foli edhe për forcim të lidhjeve mes dy shteteve.
“Kënaqësi ta takoja presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në folëm për mënyrat se si të forcojmë lidhjen mes Kosovës dhe Islandës, si dhe për kryesimin e ardhshëm të Islandës në Këshillin e Europës”, ka shkruar Jakobsdottir.
Aktualisht, kryesimin në Këshill të Europës që nga maji e ka Irlanda, ndërsa Islanda do ta marrë atë nga nëntori. Kryesuesi në Këshill të Europës vepron në mënyrë neutrale dhe siguron respektimin e rregullave dhe udhëzimeve. Ai/ajo drejton diskutimet, hedh propozimet në votim dhe shpall vendimet.
Osmani në Pragë në samitin e Komunitetit Politik Europian është takuar me disa nga liderët europianë, ndërsa ka zhvilluar edhe një takim të përbashkët me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.