​Tahiri: Qeveria të ekzekutojë pagat, me padi civile të mësimdhënësve rrezikohet buxheti

Aktuale

​Tahiri: Qeveria të ekzekutojë pagat, me padi civile të mësimdhënësve rrezikohet buxheti

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 11:29
Kuvendi i Kosovës

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar sërish nga Qeveria e Kosovës të ekzekutojë pagat e muajit shtator për 28 mijë mësimdhënësit dhe punëtorët teknik.

Në Kuvendin e Kosovës, Tahiri tha se vendimi për ndalimin e pagës është i kundërligjshëm, andaj kanë bërë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Tahiri: Qeveria të ekzekutojë pagat e mësimdhënësve

“Ky është një vendim i jashtëligjshëm, një vendim që i privon nga pagat rreth 28 mijë mësimdhënës dhe punëtor teknik. Ne i bëjmë thirrje ministrit që mos të lejojë edhe më tutje të konsumohet kjo vepër penale, pasi në rast se vazhdon edhe me padi civile të mësimdhënësve ndaj qeverisë së Kosovës dhe ministrit për mosekzekutim të pagave, mund ta merrni me mend çfarë dëmi do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës. Pasi është një e drejtë e tyre që do t’ia garantojë secila gjykatë në Kosovë”, tha ai.

Tahiri ngriti si shqetësim edhe sponzorizimin e një artikulli nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një revistë në Francë.

Ai tha se është e trishtueshme ajo çka është deklaru aty, ku sipas tij, thuhet se Kosova promovohet si vend ku kanë lindur manastiret e Kishës Ortodokse serbe.

Tahiri: Po i jepni argumente Vuçiq me kundërshtu pavarësinë e Kosovës

“Dje kam pranuar një telefonatë nga një bashkatdhetar i yni në Francë, ku thotë se qysh është e mundur Qeveria e Kosovës me promovu Kosovën si një vend ku kanë lindur manastiret e Kishës Ortodokse serbe. Në fakt kjo për mua ishte e çuditshme, thash mos e ke ngatërruar me Qeverinë e Serbisë, pasi nuk besoj se Qeveria e Kosovës promovon Kosovën si vend ku kanë lindur manastiret ortodokse serbe. Por i nderuari ma dërgoi revistën. Revista ‘Petit Fute’ në Francë, Qeveria promovon një artikull, këtë rast Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mes tjerash, thotë se Kosova ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret madhështore të kishës ortodokse serbe. Kjo është një doktrinë e shtetit serb, një promovim i artikulli të tillë nga Qeveria e Kosovës, nuk e di çka ka me thënë tutje Vuçiq dhe të tjerët. A po e shihni se çfarë argumente po i jepni ju kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat