Potera thotë se duhet t’i pyesin nxënësit në qoftë se duan të mbajnë mësim të shtunën

Aktuale

Potera thotë se duhet t’i pyesin nxënësit në qoftë se duan të mbajnë mësim të shtunën

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 18:23
Ismet Potera

Njohësi i fushës së arsimit, Ismet Potera tha se në këtë situatë kur Ministria e Arsimit kërkon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, kurse SBASHK-u dhe prindërit e kundërshtojnë këtë, duhet të merret mendimi i nxënësve në qoftë se të shtunave duan t’i kompensojnë orët e humbura.

Sipas tij, prindërit nuk duhet ta kundërshtojnë këtë mundësi, pasi siç tha ai, në këtë rast duhet respektuar vendimi i Ministrisë së Arsimit.

“Prindërit nuk e di ku e marrin atë guxim që të thonë se fëmijët nëse shkojnë në shkollë ngarkohen shumë. Në këtë situatë është dashur që të merret mendimi i nxënësve në qoftë se duan t’i kompensojnë orët e humbura të shtunave. Kjo situatë është pak paradoksale, sepse në çdo shtëpi dihet se dikush merr vendime, por në këtë rast Ministria e Arsimit merr vendim. Mirë apo keq vendimi, duhet respektuar. Mirëpo, ende më paradoksale janë deklaratat e prindërve të cilët thonë se nuk duan që fëmijët e tyre të shkojnë të shtunën në shkollë”, tha Potera në emisionin “Ditari”.

Ndërsa, i pyetur se a është forma më e duhur zëvendësimi i orëve në ditën e shtunë, Potera tha se kjo nuk cilësohet si mënyrë e qëlluar, pasi sipas tij, duhet të jetë kompetencë e shkollave për ta zgjidhur këtë problem.

Sa i përket kësaj çështje, përveç SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve, janë edhe komunat ato që nuk janë pajtuar me këtë kompensim të orëve, madje ka pasur edhe një propozim që të mbahet një orë shtesë në orar brenda ditës. E për këtë, Potera vlerëson se do i ngarkojë edhe më shumë nxënësit, prandaj ai tha se këto gjëra duhet të studiohen mirë e mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat