Abazi thotë se Kurti refuzoi ndihmën për hartimin e një strategjie gjatë vizitës në Amerikë

Aktuale

Abazi thotë se Kurti refuzoi ndihmën për hartimin e një strategjie gjatë vizitës në Amerikë

Më: 11 nëntor 2022 Në ora: 11:41
Haki Abazi

Haki Abazi, në konferencën e tij të përjavshme, ka thënë se Qeveria, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë refuzuar që ai të ndihmonte në hartimin një strategjie më të fuqishme gjatë vizitës së tij në SHBA, vizitë kjo që u realizua në muajin maj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, që drejton Komisionin për Punë të Jashtme, Haki Abazi, ka thënë se Qeveria i ka injoruar iniciativat për të ndihmuar në procesin e dialogut, si dhe në politikën e jashtme.

Abazi ka thënë se janë prekur raportet e Kosovës me partnerët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deputeti beson se do të duhej që Kryeministri t’i dëgjonte amerikanët për kërkesën për targat.

“Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës është karta dhe çelësi për Serbinë për të rrëzuar nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të Berlinit, si dhe për të mbajtur minimumin e presionit ndërkombëtar për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, ka thënë Abazi.

Sipas Abazit, kërkesat e ndërkombëtarëve do të duhej të shqyrtoheshin. Ai madje e ka përkrahur idenë që Kosova të fillojë konsultat rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Duke komentuar çështjen e Asociacionit, Abazi ka theksuar se ai nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive porse meqë ekziston një mendim i Gjykatës Kushtetuese, konform tij, Kosova duhet të bëjë hapin e parë.

Abazi ka thënë se deri tek ashpërsimi i raporteve të Kosovës ka ardhur për shkak të qasjes së gabuar në procesin e dialogut, si dhe politikës së jashtme.

“Është urgjente që t’i kthehemi tavolinës së dizajnimit të politikës së jashtme dhe qëndrimeve të analizuara mirë për të rikthyer marrëdhëniet dhe për të arritur objektivat tona në interes të shtetit dhe publikut”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat