Borrelli për propozimin franko-gjerman: Është imi e i Lajçakut, i mbështetur nga Gjermania e Franca
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka folur për propozimin franko-gjerman. Ai ka thënë se është propozim që është bërë nga vetë ai dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e që ka përkrahjen e Gjermanisë dhe Francës.
“Propozimin që kemi prezantuar, e jam i lumtur të them, se Franca e Gjermania kanë qenë përkrahëse të propozimit, i ashtuquajturi propozim franko-gjerman, është propozim nga unë e Lajçaku, që përkrahet nga Gjermania e Franca. Propozimi evropian të them. Ne duam të dalim nga pozita e menaxhimit të krizave. Në dy-tre vjetët e fundit jam marrë me menaxhim të krizave.
Targa, apo çfarëdo qofshin ato. Nuk është kjo mënyra se si zgjidhen problemet. Duam një qasje më strukturore. Çështje më të thella, që të parandalohen krizat. Këto janë hapa para, qasje e re. Dua të them se dyja palët, nuk do të thosha se pajtohen, por nuk e refuzojnë propozimin. Kjo është shumë mirë”, ka thënë Borrell.
Ai ka thënë se momentalisht është njs krizë e re mes Kosovës e Serbisë ajo e targave. Ai ka thënë se shpreson që të evitohet ndonjë përplasje.
Borrell fton Kosovën dhe Serbinë me urgjencë në Bruksel: Duhet zgjidhje para datës 21 nëntor
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, deklaroi se kryenegociatorët e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë janë ftuar në takim dhe sipas tij, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pritet të mbërrijë që sonte në Bruksel.
Sipas tij, duhet të gjendet një zgjidhje para datës 21 nëntor, datë kur kjo do të fillojnë gjobat në veri për ata që nuk kanë targat RKS, ndërsa tha se është i hapur edhe për takim mes liderëve nëse ka përparim konkret në takimet mes kryenegociatorëve.
Borrell këto deklarata i bëri pas raportimit të tij në Këshillin e ministrave të Punëve të Jashtme të BE, ku theksoi se kriza aktuale në veri të Kosovës është më e rrezikshmja dhe më e rënda që nga viti 2013.
“Të dyja palët duhet të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të gjetur një zgjidhje për të ulur tensionet. Është e papranueshme që të injorohen detyrimet që vijnë nga dialogu”, tha Borrell.
Ai i kërkoi serbëve që të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa Qeverisë së Kosovës që të tregojnë fleksibilitet në çështjen e targave, ndërsa të punojnë drejt krijimit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.
Insiston Borell: Të fillohen hapat për themelimin e Asociacionit të komunave serbe
Shefi i lartë i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet pas zhvillimeve të fundit që janë duke ndodhur.
Ai, në një konferencë për media sot pas përfundimit të takimit me ministrat evropian, ka theksuar se BE-ja ka prezentuar një propozim para të dyja vendeve në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.
“Mesazhi i Këshillit të Evropës është i qartë, ne kemi nevojë për progres të qartë, kemi paraqitur një propozim. Falënderoj Gjermaninë dhe Francën për mbështetjen e fuqishme të këtij propozimi”, ka thënë Borrell.
Borrell ka bërë sërish thirrje për fillimin e hapave të parë për Asociacionin e Komunave Serbe.
“Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione, autoritetet e Kosovës duhet të tregojnë fleksibilitet në targa dhe të punojnë në zbatimin pa vonesë të Asocacionit të komunave me shumicë serbe, pa ndonjë vonesë, ka theksuar Borrell.