Kurti: Ky është plani -ja kur pritet të nisin negociatat për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

Aktuale

Kurti: Ky është plani -ja kur pritet të nisin negociatat për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

Më: 25 nëntor 2022 Në ora: 23:32
Kryeministri i vendit, Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se plani është që javën e ardhshme të organizohet një takim në Bruksel, ku do të fillojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas Kurtit, problemi është të besohet se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do ta respektojë marrëveshjen, që sipas tij, Serbia e ka pranuar për t’i hapur negociatat që bazohen në ofertën e Brukselit dhe që mbështet nga ShBA-ja, Franca e Gjermania.

“Nga 33 marrëveshjet e arritura nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, Serbia nuk ka zbatuar dy të tretat e atyre marrëveshjeve. Ne kemi përvojë të hidhur me Serbinë në kuptimin që nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjeve janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Do të punoj që nënshkrimi i marrëveshjes dhe zbatimi i saj të vijnë në të njëjtin kontekst”, thekson Kurti.

Krahas marrëveshjeve mes dy shteteve, Kurti tha se është e nevojshme edhe përballja me të kaluarën.

“Mendoj se në Serbi është shumë e rëndësishme që të ndodhë një përballje e tillë me të kaluarën. Kjo është mirë për të tashmen tonë, por edhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Kurti.

I pyetur nëse ka ndokush në Serbi sot që do të bënte një gjest si kancelari gjerman i atëhershëm Willy Brandt – i cili u gjunjëzua para monumentit të viktimave hebreje të Holokaustit, Kurti tha se ka individë por s’kanë vend për veprim.

“Në Serbi sigurisht që ka njerëz të tillë, por ata janë individë dhe nuk kanë vend për veprim. Ata nuk kanë forcën dhe fuqinë që vjen me pushtetin, pra janë në opozitë dhe janë në opozitë jashtëparlamentare. Tani ndoshta do të duhet pak kohë, por po jetojmë në kohë të vështira dhe të çuditshme”, ka theksuar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat