S’mund të barazohet paga e një kryetari komune me atë të një zv/ministri, thotë AKK

Aktuale

S’mund të barazohet paga e një kryetari komune me atë të një zv/ministri, thotë AKK

Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 12:03
Asociacioni i Komunave të Kosovës

Sulm mbi nivelin lokal e veçanërisht ndaj Kryetarëve të Komunave, e ka vlerësuar draft-Ligjin për Pagat, Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Përjashtim Kryetarin e Kryeqytetit, paga e Kryetarëve të Komunave të Kosovës është nënçmuese edhe për mënyrën e zgjedhjes edhe për përgjegjësitë që ka Kryetari i Komunës”, ka vlerësuar AKK në një komunikatë për shtyp.

Barazimin në pagë në mes të një kryetari komune dhe një zv/ministri, AKK e konsideron gjë të pabarabartë.

Komunikata e plotë e AKK-së:

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës vlerëson se Draft-ligji për pagat në sektorin publik edhe njëherë atakon lidershipin në nivelin lokal, me theks, Kryetarët e Komunave sepse në një formë del kundër përgjegjësive që ka një kryetar komune në raport me një pozitë qeveritare me pagë të ngjashme, (psh.një zëvendësministër). Në asnjë mënyrë postulati i reklamuar nga Qeveria që për punë të njejtë të jetë paga e njejtë nuk vlen në këtë rast dhe jo vetëm.

Përjashtim Kryetarin e Kryeqytetit, paga e Kryetarëve të Komunave të Kosovës është nënçmuese edhe për mënyrën e zgjedhjes edhe për përgjegjësitë që ka Kryetari i Komunës.

Kryetari i Komunës sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përgjegjësitë i ka tejet të mëdha, përveç që zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, kryetari i komunës ndër të tjera përfaqëson komunën dhe ka përgjegjësi direkte ndaj qytetarëve të saj; udhëheq ekzekutivin e komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyr administrimin financiar të komunës; ushtron të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite kuvendit të komunës apo komiteteve të tij.

Ndërsa, në anën tjetër, një zëvendësministër ndihmon ministrin dhe është pjesë e hierarkisë administrative, zëvendëson ministrin në rastet e mungesës së tij të përkohshme apo për përgjegjësitë e deleguara shprehimisht nga ministri. Poashtu, me këtë projekt-ligj shihe qartë që emërimi politik i një zëvendësministri bëhet më i rëndësishëm dhe më i çmuar se një kryetar komune i zgjedhur me zgjedhje të drejtpërdrejta nga qytetarët.

Pra, si të tilla, këto përgjegjësi nuk reflektojnë nivelin e pozicionimit të një kryetari komune në Draft-ligjin e pagave.

AKK do të angazhohet më gjithë kapacitetin e vet që këto ndryshime të reflektohen në projekt ligjin për paga në sektorin publik në takimet me komisionet parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat