Milazim Krasniqi për gjestin e Granit Xhakës: Mbylleni këtë temë, mesazhi ishte për futbollistët e egërsuar serbë

Aktuale

Milazim Krasniqi për gjestin e Granit Xhakës: Mbylleni këtë temë, mesazhi ishte për futbollistët e egërsuar serbë

Nga: M.L. Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 21:21
Milazim Krasniqi

Profesori universitar Milazim Krasniqi e konsideron si të panevojshme dhe të dëmshme zhurmën e krijuar rreth gjestit të Granit Xhakës në ndeshjen me Serbinë.

Në një postim në Facebook Krasniqi ka thënë se mesazhi i Granitit ka qenë për futbollistët e egërsuar serbë, kurrsesi për publikun në stadium, kurrsesi për ne shqiptarët.

“Zhurma rreth gjestit të Granit Xhakës është e panevojshme dhe e dëmshme. Ajo zbulon padituri dhe nxitë konflikt në adresë të gabueshme. Mesazhi i Granitit ka qenë për futbollistët e egërsuar serbë, kurrsesi për publikun në stadium, kurrsesi për ne shqiptarët. Kushdo që ka dijeni elementare për sjelljet e djemve shqiptarë në raste konfliktesh, e di që ai gjest është i njohur, i përsëritur, standard. Si i tillë, ai i drejtohet vetëm kundërshtarit. Prandaj as nuk mund të trajtohet në raport me publikun”, shprehet profesori.

Ndërsa në raport me kundërshtarin, sipas Krasniqit ai gjest e jep mesazhin e guximit dhe qëndrimit ofensiv të personit shqiptar të përfshirë në konflikt.

Shprehja tmerrësisht e shpeshtë e djemve shqiptarë të konfliktuar ka qenë dhe është ende: “ma hansh ....”, duke e bërë një gjest të ngjashëm. Pra, si gjest mund të shpjegohet vetëm me termat e antropologjisë kulturore. Fatkeqësisht në gazetarinë tonë dhe në debatet tona publike, gjithnjë e më pak ka njerëz që kanë ndonjë njohuri lidhur me historinë dhe mendësinë shqiptare, përfshirë këtu edhe simbolikat e ndryshme”, ka theksuar Krasniqi.

Për këtë arsye profesori bëri thirrje që të mbyllet kjo temë, duke theksuar se mesazhi u drejtohej atyre që donin jo vetëm ta frikësonin, po edhe ta lëndonin.

“Ndaj mesazhi im është: mbylleni këtë temë, miq! Mesazhi nuk ka pasur të bëjë me ne. U drejtohej atyre që donin jo vetëm ta frikësonin, po edhe ta lëndonin. Simbolikën e atij gjesti duhet ta lëmë vetëm në adresën për ku e kishte adresuar Granit Xhaka. P.S. Fyerjet e kërcënimet ndaj kujtdoqoftë, sidomos ndaj femrave, janë shprehje e burracakërisë, e injorancës. Si të tilla, nuk i ndihmojnë debatit. Aq më pak lavdisë së Granitit”, ka përfunduar profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat