Bislimi befason me deklaratën, thotë se po bëhen plane për ta futur në kurth Kurtin

Aktuale

Bislimi befason me deklaratën, thotë se po bëhen plane për ta futur në kurth Kurtin

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 15:12
Albin Kurti dhe Besnik Bislimi

Ndërkombëtarët insistojnë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi foli për një fjali në deklaratën e kryediplomatit europian, Josep Borrell, pas arritjes së marrëveshjes së fundit në nëntor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Aty u tha se “Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, palët janë pajtuar me masat për të evituar eskalimet dhe për t’u koncentruar në çështje urgjente, në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve, siç është prezantuar këtë shtator nga BE-ja dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”. Kjo u interpretua si zotim i Kosovës për themelimin e Asociacionit.

Bislimi tha në Komisionin për Punë të Jashtme se kjo “është gjuhë standarde e Bashkimit Europian”, ndërsa paraprakisht citoi në anglisht pjesë të deklaratë.

“Është gjuhë standarde e Bashkimit Europian. Është e pakuptueshme – edhe për secilin prej zyrtarëve në Bruksel – që në çdo diskutim me thënë ‘kryeministër, a ke me e bë Asociacionin'”, tha Bislimi.

Sipas zëvendëskryeministrit, çështja e Asociacionit shtrohet qëllimshëm dhe i nxitë ndërkombëtarët të reagojnë. Të tillë e konsideroi edhe pyetjen e deputetes Ariana Musliu-Shoshit për këtë çështje.

“Më së paku ka të bëjë me Asociacionin. E ka për qëllim që kryeministrin me detyru me thënë që nuk e bëj, e pastaj me dalë një deklarim prej Brukselit që ‘ti duhesh me e zbatu marrëveshjen’. Është e pakuptueshme që vazhdimisht me e rritë pazarin e Serbisë në marrëveshje e me e ulë atë të Kosovës”, tha Bislimi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat