Gashi nga KQZ: Shtyrja e zgjedhjeve në veri është në kompetencë të presidentes

Aktuale

Gashi nga KQZ: Shtyrja e zgjedhjeve në veri është në kompetencë të presidentes

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 00:43
Ilir Gashi

Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka folur rreth situatës së krijuar në veri, ku u sulmuan disa zyrtarë policorë dhe të KQZ-së.

Ai tha se KQZ-ja është e gatshme t’i mbajë zgjedhjet në datat e parapara në komunat veriore të vendit, mirëpo, sipas tij, fillimisht duhet të krijohen kushtet e sigurisë në ato komuna.

“Ne sot kemi bërë përpjekje që t’i dërgojmë zyrtarët tanë në Mitrovicë të Veriut, por nga ajo që u pa siguria nuk ishte e garantuar pasi zyrtarët tanë atje nuk mund të qëndronin në zyrat e tyre për t’i kryer detyrat dhe përgjegjësitë e ngarkuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është e gatshme, gjithçka varët te siguria e qytetarë e qarkullimit të lirë dhe e drejta për të zgjedhur”, ka thënë Gashi në Edicioni Special.

Sipas Gashit, është në kompetencë të presidentes nëse do të duhej të shtyheshin zgjedhjet në këto komuna.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i përgatitur t’i mbajë zgjedhjet në datat e caktuara 18 dhe 25 dhjetor, sipas vendimit të presidentes dhe nuk është në kompetencën tonë as për ta trajtuar as për ta nxjerrë ndonjë vendim sa i përket shtyrjes, ajo i takon presidentes”.

Gashi theksoi se sigurinë e qytetarëve nuk e bën KQZ-ja, atë e garantojnë institucionet përkatëse.

“Qeveria dhe ministri i brendshme duhet të ushtrojnë sovranitetin atje për të krijuar kushte që një proces i tillë të ndodhë ashtu si e përcakton ligji dhe kushtetuta”, ka shtuar ai.

“Ndoshta plani operativ i institucioneve të sigurisë është dashur të bëhej më herët, është dashur të siguroheshin objektet dhe qasshmëria në ato objekte më herët dhe pastaj të veprohet me dërgimin e zyrtarëve tanë në ato komuna”, ka vazhduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat