Detaje nga sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Veri: Polici u plagos në krah

Aktuale

Detaje nga sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Veri: Polici u plagos në krah

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 08:20
Policia e Kosovës

Në orën e 23-të të së enjtes, vetëm 60 minuta para mesnate, derisa një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit, u sulmuan nga një grup personash të armatosur dhe me maska.

Vetura u dëmtua shumë dhe një polic u plagos.

Në njoftimin e policisë në orën e parë të së premtes, thuhej se “njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata”.

Armët u shkrepën nga një automjet i tipit AUDI, ngjyrë hiri, me targa ilegale “KM”.

Njoftimi tregonte se një polic ishte plagosur, por pa detaje të tjera.

Albanian Post ka mësuar nga burimet brenda Policisë së Kosovës, se polici i plagosur i takon grupit të Njësisë për Reagimin e Shpejtë.

Nga të njëjtat burime po ashtu bëhet e ditur se plagosja ka ndodhur në krahë.

Më pas, nga xhami i dërrmuara nga breshëria, copëza të vogla kanë goditur edhe në kokë policin, më saktësisht në pjesën e veshëve.

“Ka të çara dhe gërvishtje te pjesa e veshit”, pohoi burimi.

Vetura e NjRSH-së u sulmua nga persona me maska, të cilët u panë nga policia edhe në vende të tjera duke vëzhguar, si te “Lagjja e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.

Polici i plagosur, përkundër lëndimeve, është jashtë rrezikut për jetën, thonë burime e AP-së.

Pas sulmit, dhe dërgimit të të plagosurit në spital për trajtim të mëtejshëm, një grup tjetër i policisë është dërguar për të tërhequr veturën.

Fiks në kohën kur ndodhi sulmi, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, po jepte një intervistë për Radiotelevizionin publik të Kosovës, duke treguar se gjendja në Veri është e qetë.

“Momentalisht ne kemi një situatë relativisht të qetë”, deklaroi ministri, duke shtuar se “nuk ka nevojë asnjë qytetarë të brengoset”.

Kjo nuk është hera e parë që është sulmuar një patrullë e policisë prejse janë rritur tensionet, fillimisht për shkak të zbatimit të vendimit të sekuencuar për targat, por është hera e parë që është plagosur një pjesëtar i forcave të rendit.

Deri më tani – përkundër se ka pasur në disa raste të shtëna me armë, hedhje të shok bombave e vënie flake të veturave të banorëve serbë që vendosnin t’i zëvendësojnë targat në RKS, ashtu siç ua kërkonte policia – nuk ka pasur asnjë të arrestuar.

Përveç Sveçlës që po paraqitej në Prishtinë, në njëjtën kohë, në Beograd po mbante konferencë për media Petar Petkoviç, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Petkoviç, duke i bërë interpretim abuziv Rezolutës 1244, njoftoi se po shqyrtojnë një vendim për të sjellur në Veri rreth 1000 trupa të forcave serbe, si kundërpërgjigje për shtimin e numrit të policisë së Kosovës atje.

Por, arsyeja përse Policia e Kosovës shtoi prezencën në Veri, siç e ka shpjeguar edhe vetë Sveçla, ishte pasiguria e qytetarëve të Kosovës në atë zonë prejse janë rritur tensionet, por edhe për të konsoliduar radhët pas momentit kur një grup me maska e i armatosur zmbrapsi policët bashkë me zyrtarët zgjedhorë komunalë, që provonin të kenë qasje në zyrat e tyre dhe të punojnë.

Grupet kriminale në Veri nuk duan që ata zyrtarë të vazhdojnë punën, sepse me direktiva të Listës Serbe, ata nuk duan as mbajte të zgjedhjeve me 18 e 25 dhjetor, data këto që i ka shpallur si ditë zgjedhjesh presidentja Vjosa Osmani, pasi serbët vendosën të djegin mandatet dhe të tërhiqen nga çdo nivel institucional e politik.

Situata jostabile dhe me prezencë të krimit të organizuar në Veri vazhdon qysh nga viti 2000, por tensionet u shtuan, kur qeveria provojë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për targat ilegele.

Lista Serbe, si fuqia politike më e madhe nga komuniteti serb, doli nga institucionet me kërkesën që të anulohet vendimi.

Qeveria, pas thirrjeve nga aleatët ndërkombëtarë, pranoi ta shtyjë vendimin, me shpresë se i hap rrugë bisedimeve për zgjidhje përfundimtare,  por serbët nuk u kthyen më në institucione.

Tani është obligim kushtetues që të zhvillohen zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Por, sërish po kërkohet shtyrje e vendimit, sidomos nga amerikanët, meqë ata konstatojnë se nuk ka kushte për zgjedhje të lira.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akoma nuk ka dhënë një prononcim për çfarë ndodhi mbrëmë.

Kurti aktualisht as nuk gjendet në Kosovë. Ai ka fluturuar drejt Austrisë, në një nga udhëtimet e zakonshme në konferenca ku diskutohet për ideologjitë e partive politike të majta.

Reagime për sulmin akoma nuk kanë ardhur as nga shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat