Bekë Berisha, Qeverisë: “Hajt qe për veri po ju kuptojmë, por çka janë ato tensione në Hoçë për do venë?”

Aktuale

Bekë Berisha, Qeverisë: “Hajt qe për veri po ju kuptojmë, por çka janë ato tensione në Hoçë për do venë?”

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 11:26
Bekë Berisha

“Hajt qe po ju kuptojmë për situatën në veri, por çka është tensionimi në Hoçë të Madhe atje me sekuestrim të do vene që e ka maru dikush?”, pyeti deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, duke ju referuar situatës së fundit të krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe aksionin doganor në Hoçë të Madhe.

“Dojke njani me myt veten prej dy metra lartësi e këso skena”, tha Bekë Berisha, derisa shtoi se “shumë frikësohem se do të bëjnë diçka për me na lanë fajin neve, sidomos në këtë situatë”.

Berisha, i cili është edhe Kryetar i Komisionit për Siguri dhe Çështje të Mbrojtjes, kërkoi nga qeveria, që në dritën e sulmeve të njëpasnjëshme nga bandat kriminale në veri ndaj zyrtarëve policorë dhe zgjedhore, të mos i rrezikojë policët dhe as zyrtarët e KQZ-së.

“Insistimi për m’e tensionu situatën, kjo shkon në favor të atyre”, tha Berisha.

“Çdo tension i mëtutjshem ka për qëllim kthimin e Rezolutës 12/44. Unë nuk besoj që doni me na çu në atë pikë”.

“Kryeministër ti këshillat i ke marrë prej ndërkombëtarëve. Nuk po i dëgjon derisa po bëhet dëmi, e kur po bëhet dëmi pastaj  po i dëgjon. Por, pasi po bëhet dëmi. Kur kemi folur me zë të ulet e me kujdes, nuk jemi ndje më të dobët e as inferiorë, por vetëm kemi dashur si vëllau-vëllaut me ju tregu se kjo gjendje është e jashtëzakonshme, është e keqe dhe mundet me ardh këtu ku është sot. Dhe, unë mendoj se kjo është pa kthim dhe zhvillimet do të tregojnë se çfarë do të ndodh atje”.

Berisha tha se është kujdesur “të mos flet më shumë se ç’duhet” për këto çështje, por kërkoi nga qeveria kosovare të e trajtojë atë më seriozisht.

“Prapseprapë jemi bashkë në krejt këto me të cilat kemi m’u përballë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat