Serbët i hedhin “benzinë zjarrit”, kërcënojnë me mësymje ushtarake, vjen reagimi nga Kosova

Aktuale

Serbët i hedhin “benzinë zjarrit”, kërcënojnë me mësymje ushtarake, vjen reagimi nga Kosova

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 15:26
Pamje nga Mitrovica

Serbia po i hedh “benzinë” zjarrit të konflikti në Kosovë. Prej disa ditësh veriu është vënë në alarm, pasi serbët po tentojnë të bllokojnë zgjedhjet e pjesshme në zonat e banuara prej tyre.

Prej 3 ditësh ka pasur shpërthime, ndërsa mbrëmë kanë mbetur të dëmtuar një polic dhe dy gazetarë.

Por përveçse nuk merr asnjë përgjegjësi mbi shpërthimet, Serbia duket se po provokon fort.

Mbrëmë dhe sot ka pasur paralajmërime për mësymje ushtarake në Kosovë. Paralajmërimi i parë erdhi nga shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç,

“Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit. Ne do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të sigurisë në Kosovë“, tha ai.

Ndërkohë që më ashpër ka provokuar kryeministrja serbe, Ana Brnabiç. Edhe ajo tha se qeveria serbe po shqyrton mundësinë e dërgimit të forcave ushtarake në Kosovë.

“Jemi afër vendimin për dërgimin e forcave të Sigurisë në Kosovë”, tha ajo.

Kryeministrja serbe shtoi: “Çdo ditë shkelet jo vetëm marrëveshja e Brukselit por edhe marrëveshja e Kumanovës. Jemi afër që të kërkojmë kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244, sepse KFOR-i nuk po e kryen punën e vet. Serbët nuk ndihen të sigurt, dhe janë të kërcënuar si fizikisht ashtu edhe për jetën, përfshirë kopshtet e fëmijëve”.

Ndërkohë ka pasur reagime të ashpra dhe nga Kosova. Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë gjuhën e kërcënimeve nga Serbia.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, ka thënë ajo.

Situata në veri duket se është tensionuar së tepërmi.

Kosova ka dërguar me qindra forca policore në Veri, ndërkohë që në gatishmëri janë dhe forcat e EULEX dhe të KFOR.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat