​Ministri Krasniqi: Vendosja e administratorëve në komunat veriore s’parashihet me ligj

Aktuale

​Ministri Krasniqi: Vendosja e administratorëve në komunat veriore s’parashihet me ligj

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 13:57
Elbert Krasniqi

Vendosja e administratorëve në komunat veriore nuk parashihet në Ligjin për vetëqeverisje lokale, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pavarësisht se deri në zgjedhjet e 30 prillit, komuna e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potokut do të mbesin pa kryetarë dhe asamble komunale.

Në konferencën për medie, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Krasniqi tha se vendosja e administratorëve bëhet vetëm nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe vetëm atëherë kur atakohet buxheti.

Krasniqi: Me ligj nuk parashihet mundësia e vendosjes së administratorëve në komunat veriore

“Me Ligjin për vetëqeverisje lokale nuk parashihet mundësia e vendosjes së administratorëve në komuna. Këtë të drejtë e ka vetëm Ministria e Financave dhe vetëm në situatën kur atakohet buxheti”, tha ai.

Sipas tij, në katër komunat veriore po vazhdon ofrimi i shërbimeve për një pjesë të qytetarëve.

Krasniqi: Në katër komunat veriore po vazhdon ofrimi i shërbimeve për një pjesë të qytetarëve

“Sidoqoftë, si qeveri ne jemi në koordinim me zyrtarë të ndryshëm që të ofrohen shërbimet... Ne ende pranojmë çdo ditë informacionet për personat që janë të infektuar me COVID në katër komunat e veriut dhe vazhdon normalisht ofrimi i shërbimeve për një pjesë të qytetarëve”, shtoi Krasniqi.

Bashkë me ministrin Krasniqi, ishte edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili foli për mbështetjen ndaj sektorit publik dhe privat.

Ai tha se duke subvencionuar 50 për qind të pagës së rritur për sektorin privat, po synojnë që të ketë një rritje të përhershme të pagave në sektorin privat.

Murati: Synimi ynë ka qenë që të ketë një rritje të përhershme në sektorin privat

“Synimi ynë ka qenë që të ketë një rritje të përhershme në sektorin privat sidomos, në mënyrë që të jetë diçka që është e një natyre të përhershme dhe mbështetje më afatgjatë, në krahasim me mbështetjen e njëhershme siç ka qenë në muajin prill”, tha ai.

Krahas kësaj, ministri Murati tha se është duke planifikuar një riorganizim brenda Ministrisë së Financave , ku dikasteret e veçanta të punës dhe mirëqenies sociale pritet të delegohen tek Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Drejtësisë.

Murati: Kemi paraparë një riorganizim të ministrive

“Gjatë kësaj periudhe, gjatë dy viteve kemi bërë vlerësime se cilat dikastere kanë sinergji dhe mund të përshtaten. Cilat mund të jenë më mirë diku tjetër. Në këtë rast ka qenë Instituti Special në Shtime që përshtatet më tepër me Ministrinë e Shëndetësisë dhe bartet aty. Ndërkaq, në kuadër të politikave sociale, sidomos kjo pjesa e strehimoreve për dhunë në familje, por edhe fëmijët e braktisur janë bartur në Ministrinë e Drejtësisë, pasi shpesh herë ka të bëjë me instancat ligjore dhe zbatimin e reformat në legjislacion që parashihet të jenë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat