Selmanaj-qeverisë: Nëse ua ndien për ShBA dhe BE, kënd e keni referencë
Në shqyrtimin e dytë të projektligjit për zyrtarët publik, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka kërkuar i njëjti të mos miratohet.
Ai ka thënë ky ligj do të shkatërronte administratën shtetërore.
Selmanaj: Qeveria po provon të shkatërrojë një sistem të ndërtuar për 20 vjet
“Ky është shembulli eklatant se si një qeveri provon të shkatërrojë një sistem të cilin është ndërtuar për 20 vjet në Kosovë. Në Kosovë nuk ka qenë sistemi i keq, njerëzit e kanë prish atë sistem, këtë sistem në Kosovë që e kemi pasur nuk e kemi sjell ne vet, na kanë sjellë miqtë ndërkombëtar. Dhe atë sistem tash ju po doni ta shkatërroni, sepse mënyrën si të tjerët kanë abuzuar përmes komisioneve, përmes rekrutimit të njerëzve, ju tash po doni me i dhënë legalitet atij procesi”, ka thënë Selmanaj.
Selmanaj ka kërkuar që qeveria të marrë parasysh adresimet e ndërkombëtarëve.
Selmanaj: Nuk janë adresuar shqetësimet e BE-së
“Po më vjen çudi kryetar sepse sa kam marrë informata edhe ti vet e ke marrë një letër nga BE-ja, dhe nuk keni reflektuar fare, as ti si kryetar, as komisionet për t’i adresuar të gjitha çështjet që zyra BE-së i ka adresuar. Zyra e BE-së nis me konstatimet që praktikat e tilla nuk janë të njohura, për vendet demokratike, flet për mundësi nepotizmi, klientelizmi, politizimi, korrupsioni të administratës shtetërore, për çudi kjo qeveri nuk dëshiron as të merret me to. Ju lutëm nëse keni filluar të mos ndini as për ShBA, as për BE, kush janë adresat që ju i keni referencë kush janë adresat ,sepse këto janë çështje publike”, ka shtuar ai.
Kuvendi shqyrton projektligjin për zyrtarët publik, opozita kundër miratimit të tij
Kuvendi i Kosovës po shqyrton në lexim të dytë projektligjin për zyrtarët publik. Partitë opozitare e kanë kundërshtuar atë dhe kanë deklaruar se i njëjti e dëmton administratën publike në Kosovë.
Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga qeveria që të tërheq këtë projektligj dhe ka shtuar se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë fare në votim.
Tahiri: Qeveria të tërheq projektligjin për zyrtarët publikë
“Ju bëjmë thirrje edhe njëherë qeverisë që ta tërheq këtë projektligj, mos të kalojë në leximin e dytë sepse e dëmton në thelb administratën publike dhe do ta politizojë jashtëzakonisht shumë. Nuk është interesi i askujt me u politizu administrata publike, pra ne e dimë që gjithmonë ka pasur vend të përmirësohet dhe ka vend të ndërrohen njerëzit që nuk kanë arritur me përmbush mandatin e tyre mirëpo jo kështu në mënyrë masive të hapen me mijëra konkurse, shefa të divizioneve, departamenteve të ndryshme në qeveri të Kosovës dhe në administratën publike të cilat vërtetë kanë me dëmtu edhe punën e qeverisë. Prandaj edhe njëherë u bëjmë thirrje që ta tërhekni këtë projektligj, mos të kalojë në leximin e dytë, përndryshe Partia Demokratike nuk do të merr pjesë farë në votim”, tha Tahiri.
Kuvendi mban sot dy seanca plenare dhe një të jashtëzakonshme
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca plenare dhe një seancë të jashtëzakonshme. Në seancën e radhës do të bëhet Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Të dyja projektligjet, ai për Pagat dhe për Zyrtarët Publikë do të shqyrtohen sot, me procedura të përshpejtuara në Kuvendin e Kosovës. Kështu kanë votuar deputetët e shumicës parlamentare, ndonëse këtë formë e kundërshtuan deputetët opozitarë.
Me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në lexim të parë Projektligji për Pagat në Sektorin Publik. Pozitë e opozitë kanë qenë pro projektligjit, megjithatë, partitë opozitare kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në mes dy leximeve. Të njëjtit kanë pasur kritika për rangimet dhe përcaktimet e koeficienteve.
Kurse seanca e jashtëzakonshme fillon në orën 12 dhe në rend të ditës është, Shqyrtimi i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2031.
Edhe në seancën e tretëm plenare, që pritet të mbahet nga ora 13, në rend dite janë shqyrtimi i disa projektligjeve dhe raportimeve.