Gazetari gjerman me kritika: S’pres rezultate Kosovë-Serbi, BE-ja s’po u ofron kurrgjë

Aktuale

Gazetari gjerman me kritika: S’pres rezultate Kosovë-Serbi, BE-ja s’po u ofron kurrgjë

Më: 24 janar 2023 Në ora: 23:08
Përfaqësuesit e BE-së

Nuk ka motivim, por as shpërblim për Beogradin dhe Prishtinën nëse arrijnë marrëveshje për Kosovën, ka thënë Michael Martens, gazetar i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Në një bisedë në një emision të televizionit serb “Nova”, ai ka thënë se propozimi evropian, apo ai i njohur më parë si “franko-gjerman”, nuk është shumë serioz.

“Mendoj se i gjithë propozimi gjermano-francez nuk është shumë serioz, sepse nuk shoh asnjë motiv që as Serbia dhe as Kosova të pajtohen me të. Ju mund të bisedoni, negocioni dhe të keni takime, por nuk e shoh se cili do të jetë rezultati, sepse rezultati dhe qëllimi kryesor që premton BE-ja është që nuk ka anëtarësim në BE as për Serbinë dhe as për Kosovën, dhe nëse kjo nuk ekziston, atëherë unë nuk e di se çfarë presin politikanët perëndimorë. Nuk shoh ndonjë motivim serioz as për Vuçiqin dhe as për Kurtin për të bërë një hap serioz përpara”, tha Martens.

Ai po ashtu thekson se nuk e sheh se çfarë presioni mund të ketë BE-ja aktualisht ndaj Kosovës apo Serbisë.

“Nuk jam i sigurt se do të ketë sanksione. Nuk ka një gjë të tillë kundër Dodikut, pse atëherë do të jetë kundër Vuçiqit? Aq më tepër që tani mendojnë se fajin e ka Kurti për mungesën e rezultateve. Nuk jam i sigurt se do të ketë ndonjë rezultat, as në kuptimin pozitiv e as në atë negativ. Thjesht po humbim kohë”, thotë Martens.

Gazetari po ashtu thekson se nuk e sheh se çfarë do të ishin shpërblimet për Beogradin dhe Prishtinën nëse arrijnë një marrëveshje, por se do të ishte mirë nëse do të kishte një lloj shpërblimi.

“Nëse do që një politikan të bëjë një kompromis, duhet t’i japësh diçka. Dhe unë nuk e shoh këtë, ata erdhën në Prishtinë dhe në Beograd duarbosh. As Vuçiqi dhe as Kurti nuk do t’u thonë hapur – ju nuk keni asgjë dhe unë nuk do të pajtohem me idenë tuaj, sepse kjo nuk do të ishte shumë e zgjuar”, përfundoi Martens.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat