Ambasadori italian në Beograd: E vlerësojmë qasjen e Vuçiqit, Asociacioni elementi kyç

Aktuale

Ambasadori italian në Beograd: E vlerësojmë qasjen e Vuçiqit, Asociacioni elementi kyç

Më: 27 janar 2023 Në ora: 13:04
Luka Gori

Italia javën që shkoi i është bashkuar përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje Kosovë-Serbi duke e dërguar Këshilltarin e Kryeministres së këtij vendi bashkë me kolegët e tij në rajon. Në një intervistë për mediat në Serbi ambasadori i Italisë atje, Luka Gori, vlerëson se Asociacioni është një nga elementet kryesore të normalizimit të marrëdhënieve. Duke folur rreth debatit që do të zhvillohet në Parlamentin e Serbisë, Gori ka thënë se Roma e vlerëson qasjen e Presidentit të Serbisë.

Ambasadori i Italisë në Serbi Luka Gori, ka deklaruar se një nga elementët kryesor të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin dhe se është e rëndësishme që kjo ide të zbatohet sa më shpejt.

Në këtë kuptim, ka thënë ai, në tryezë është edhe propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve, thotë Gori.

Gori, në një intervistë për Tanjug, ka thënë se në ditët në vijim “do të zhvillohet një debat në Serbi për të ardhmen e Kosovës”.

“Ne e vlerësojmë shumë qasjen e presidentit Aleksandar Vuçiq. Në ditët në vijim do të zhvillohet një debat në Serbi për të ardhmen e Kosovës. Është e rëndësishme që të gjithë të punojmë së bashku, në mënyrë konstruktive, në mënyrë që të stabilizojmë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. – tha Gori.

I pyetur nëse do t’i rekomandonte Serbisë që ta pranojë propozimin, Gori tha se nuk i takon atij t’u bëjë sugjerime autoriteteve në Serbi, sepse “ata dinë shumë mirë të mbrojnë interesat kombëtare të Serbisë”.

Duke folur për zgjerimin e BE-së, Gori tha se është një çështje kyçe për Italinë dhe kujtoi se BE-ja ka nisur së fundi negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe se Bosnja dhe Hercegovina ka marrë statusin e kandidatit.

“Procesi i zgjerimit po përparon në Ballkan, por për fat të keq ky progres është i ngadalshëm. Dhe unë e kuptoj plotësisht zhgënjimin dhe opinionin publik në lidhje me zgjerimin dhe e kuptoj që ne duhet të zgjerohemi më shpejt për të zbatuar reformat dhe në përputhje me rrethanat shoh përparim në Serbi, veçanërisht kur bëhet fjalë për reformën në drejtësi”, tha Gori.

Sipas tij, Italia do të mbetet një lidere që do të bëjë të pamundurën për ta përshpejtuar atë proces, për të gjetur energji dhe vrull të ri në atë proces, i cili, theksoi ai, është vendimtar për stabilitetin e rajonit dhe për të ardhmen e të gjithëve.

Gori po ashtu tha se janë duke punuar për të cuar investime të reja në Serbi dhe se në periudhën e ardhshme do të mbahen takime të rëndësishme në këtë kuptim – në fund të marsit dhe në maj.

“I pari është forumi i biznesit Itali-Serbi që do të mbahet në Beograd më 21 mars, dhe në të cilin do të fokusohemi në tre sektorë – energjinë dhe tranzicionin e gjelbër, bujqësinë dhe agroteknologjinë dhe infrastrukturën. Këta janë tre sektorët kryesorë në të cilët ne dëshirojmë të investojmë dhe nëpërmjet tyre po zhvillojmë më tej partneritetin tonë me Serbinë. Një takim tjetër shumë i rëndësishëm do të mbahet në maj, në panairin bujqësor në Novi Sad, ku Italia do të jetë vend partner i panairit dhe më pas shumë kompani do të të vijnë për të vendosur dhe zhvilluar marrëdhënie ekonomike me Serbinë”, tha Gori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat