Zyrtari i LVV-së: Kosovës po i bëhet trysni që të pranojë copëtimin e saj të brendshëm

Aktuale

Zyrtari i LVV-së: Kosovës po i bëhet trysni që të pranojë copëtimin e saj të brendshëm

Më: 28 janar 2023 Në ora: 18:34
Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi

Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka reaguar pasi Ambasada Amerikane nuk e ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në takimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. 

Përmes një postimi në Facebook, Zaimi kërkon nga qytetarët të lobojnë në shtetet perëndimore kundër themelimit të Asociacionit. 

Ai ka thënë se këtë mund ta bëjnë me anë të letrave apo sms-ve.

“Shkruajini letër apo sms, kujtdo që njihni e mendoni se ka ndikim në vendet perëndimore. Shqiptarët, përtej ndasive, mund ta ndikojnë opinionin ndërkombëtar”, ka shkruar Zaimi. 

“Shqiptarët që kanë kontakt me persona që kanë ndikim në shtetet perëndimore, qofshin ata politikanë, profesorë, artistë, sportistë, biznesmenë, etj, do të duhej t’u shkruanin atyre letra apo sms, dhe t’u shpjegonin se Kosovës po i bëhet trysni e padrejtë, që të pranojë copëtimin e saj të brendshëm në linja etnike, si në Bosnjë”, ka shkruar ai tutje. 

Ai ka ofruar edhe ide se çfarë të shkruajnë qytetarët në këto sms dhe letra lobuese.

“Kërkojuni atyre mbështetje për Kosovën, kundër ndarjeve e copëtimeve. Kosova është vendi me më shumë të drejta e përfaqësim për minoritetet, jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që po përparon në raport me treguesit demokratikë. Prandaj është e padrejtë që i bëhet trysni Kosovës për të disfunksionalizuar vetveten, vetëm pse kështu dëshiron Serbia, e cila nuk respekton të drejtat e minoritetit shqiptar dhe është vend autokratik”, shtoi Zaimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat