Kurti pas publikimit të raportit nga TI: Luftimi i korrupsionit u mohua nga elitat politike të korruptuara

Aktuale

Kurti pas publikimit të raportit nga TI: Luftimi i korrupsionit u mohua nga elitat politike të korruptuara

Më: 31 janar 2023 Në ora: 15:43
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas publikimit të raportit të organizatës ndërkombëtare, Transparency International (TI), për vitin 2022 ku Kosova renditet në pozitën numër 84 me 41 pikë, apo dy më shumë se vitin e kaluar ka thënë se ky potencial është mohuar nga elitat politike të korruptuara të cilët sipas tij “vodhën të ardhmen e fëmijëve”.

Përmes një postimi në Facebook, shefi i ekzekutivit ka thënë se për gati një dekadë Kosova ishte e ngujuar mes pozitave 105/104 nga viti 2012 deri në vitin 2020.

“Ky potencial ishte mohuar nga elitat politike të korruptuara që duke e pasuruar veten na e vjedhnin të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë. Ne do të vazhdojmë të qeverisim mirë e ndershëm. Do të vazhdojmë të realizojmë pritjet e qytetarëve e të kryejmë detyrat tona”.

Sipas tij, për vetëm dy vite të qeverisjes Kurti Kosova është përmirësuar për 20 vende, nga vendi 104 sa ishte në 2020 në vendin 84 në vitin 2022.

“Për vetëm dy vite të qeverisjes sonë jemi përmirësuar për 20 vende, nga vendi 104 sa ishim në 2020 në vendin 84 në vitin 2022. Nëse këtë progres do ta përkthenim në shpejtësinë e lëvizjes, për 8 vite Kosova ishte duke lëvizur në shpejtësinë e parë kurse me qeverinë tonë në dy vitet e fundit jemi në shpejtësinë e 20”, ka shkruar Kurti.

“Ai ka thënë se ky është potenciali që kemi si shtet e si shoqëri. Kjo është shpejtësia me të cilën mund ecim e duhet të ecim drejt së ardhmes kur qeverisim pastër, me dije e me integritet”, ka vijuar ai.

Ai është shprehur i bindur që Kosova dhe populli i saj ka potencial më shumë se kaq.

Me 41 pikë, Kosova ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, por vazhdon ende të mos e ketë nën kontroll këtë dukuri, vlerëson raporti i organizatës ndërkombëtare, Transparency International (TI), për vitin 2022.

Për vlerësimin e 180 vendeve dhe territoreve të botës, organizata përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zeroja tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.

Kosova në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit radhitet në pozitën numër 84 me 41 pikë, apo dy më shumë se vitin e kaluar.

Kosova ka bërë përparim me një kornizë të përmirësuar ligjore për financimin e fushatave politike dhe zgjedhore, por zbatimi i këtyre reformave do të jetë kyç në muajt e ardhshëm”, thuhet në raport.

“Qeveria duhet ta përmirësojë ende transparencën dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”, thekson Transparency International.

Edhe pse vitin e kaluar nuk kanë dalë në dritë skandale të korrupsionit, kjo, sipas organizatës, “nuk do të thotë se korrupsioni është nën kontroll”.

“Shpenzimet e ulëta buxhetore për investime kapitale në vitet e fundit kanë reduktuar mundësitë për korrupsion në shpërndarjen e kontratave publike – gjë që ka qenë problem në të kaluarën”, thuhet në raportin e Transparency International.

Sipas organizatës, rajoni i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi “është i njohur për rezistencën e ulët ndaj krimit të organizuar”.

Vendet e këtij rajoni, thuhet në raport, “kanë qenë të ngadalshme në adresimin e këtij rreziku” dhe “institucionet përgjegjëse nuk kanë ende burime të mjaftueshme dhe pavarësi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat