Aplikimi i “bllokuar” për anëtarësim në KiE, Presidentja lajmërohet nga Rejkjaviki

Aktuale

Aplikimi i “bllokuar” për anëtarësim në KiE, Presidentja lajmërohet nga Rejkjaviki

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 15:06
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Katrín Jakobsdóttir

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Islandë, është takuar me kryeministren Katrín Jakobsdóttir, me të cilën tha se foli veçanërisht për shtyrjen përpara të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës, meqë aktualisht Islanda ka Presidencën e KiE.

“Sot në Rejkjavik, bashkë me kryeministren e Islandës, Katrín Jakobsdóttir, diskutuam intensifikimin e bashkëpunimit me Islandën në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët, e në veçanti gjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës. Shtyrja përpara e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është e një rëndësie të veçantë, meqë nga kjo do të përfitojnë të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, njoftuar Vjosa Osmani.

Ky takim vjen pas lajmeve nga Euronews në gjuhën serbe se SHBA-ja ka kërkuar që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës të mos vendoset në agjendë shkaku i qëndrimit për Asociacionin.

Osmani ka falënderuar kryeministren islandeze edhe për mbështetjen që ky vend ka për Kosovën në vazhdimësi.

“Populli i Kosovës i është gjithnjë mirënjohës Islandës për mbështetjen e palëkundur përgjatë viteve, ndërsa bashkërisht, në frymë të vlerave të përbashkëta demokratike, do të vazhdojmë ta forcojmë partneritetin ndërshtetëror”, shkruan Presidentja e Kosovës.

Për takimin ka njoftuar edhe Zyra e Presidencës së Kosovës:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Rejkjavik, është pritur nga kryeministrja e Islandës, Katrín Jakobsdóttir.

Meqenëse Islanda aktualisht udhëheq presidencën e Këshillit të Evropës, diskutimet u fokusuan në shtyrjen përpara të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, duke pasur parasysh rëndësinë e saj për liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se Islanda, një nga shtetet e para njohëse të Republikës së Kosovës, është partner i rëndësishëm dhe aleat i popullit të Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Islandës për anëtarësimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që të intensifikohet komunikimi ndërshtetëror që të avancohet procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës në muajt në vazhdim.

Në diskutim me kryeministren Jakobsdóttir, Presidentja Osmani ka përmendur vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në këtë frymë, ka kërkuar mbështetjen e Islandës, si një nga shtetet themeluese të Aleancës Veri-Atlantike.

Presidentja Osmani ka përmendur progresin e institucioneve të vendit në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me të gjitha konventat ndërkombëtare. Modeli kushtetues në Kosovë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë është më i avancuari në Evropë, theksoi Presidentja Osmani, duke dhënë shembuj konkret të këtij modeli.

Presidentja ka thënë, më tutje, se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli dhe do të ishte progres për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie apo religjioni. Presidentja poashtu shtoi se ndërlidhja e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës me procesin e dialogut nuk është i drejtë, ndërsa theksoi se këto dy procese duhet të shihen si të ndara. Andaj, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është reflektim i të arriturave të Kosovës në zbatimin e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të dëshmuar nga raportet e organizatave relevante ndërkombëtare.

Mbi temën e situatës së sigurisë në Evropë, Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë, ndërsa ka nënvizuar edhe rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së popullit ukrainas kundër agresionit rus.

Presidentja Osmani dhe kryeministrja Jakobsdóttir kanë shprehur gatishmërinë që të thellohen marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Islandës në fusha të ndryshme dhe të hapen kapituj të ri të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat