Klinaku: Specialja vazhdon me vendim politik ndaj Gucatit e Haradinajt

Aktuale

Klinaku: Specialja vazhdon me vendim politik ndaj Gucatit e Haradinajt

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 19:24
Hysni Gucati & Nasim Haradinaj

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku, ka reaguar pas vendimit të Speciales për dënim me nga katër vjet e tre muaj dy ish-krerëve Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Klinaku tha se qysh nga fillimi, edhe tash, konsideron se Gjykata Speciale është gjykatë politike.

“Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht që nga themelimi i saj, ashtu e konsiderojmë se Gjykata Speciale është gjykatë politike”, shkroi ai në Facebook.

“Në vend se të hetohen skandalet e prokurorisë së dhomave të specializuara që ju dolën nga zyrat e tyre në Hagë, gjykata vazhdon me vendim politik ndaj krerëve të OVL UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, shkroi tutje Klinaku.

Paneli i Gjykatës së Apelit ka shpallur sot aktgjykimin në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Ky panel ua ka zbritur vetëm për tre muaj dënimin me burg Gucatit e Haradinajt, duke i dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim.

Paneli ka konfirmuar shumicën e pikave të aktgjykimit të shkallës së parë dhe po ashtu ka mbetur në fuqi gjoba prej 100 eurove për secilin.

“Paneli cakton një dënim të njësuar prej 4 vjet e 3 muaj burgim për Gucatin e Haradinajn duke llogaritur kohën e kaluar në burg”, tha gjykatësja e panelit.

Gjykatësja e Panelit ka thënë se të dy do të mbeten në paraburgim në Hagë deri në transferimin në shtetin ku do të vuajnë dënimin.

Kujtojmë se në shkallën e parë Gucati e Haradinaj u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat