Këto janë zonat më të rrezikuar në Kosovë në rast tërmeti

Aktuale

Këto janë zonat më të rrezikuar në Kosovë në rast tërmeti

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 13:18
Foto ilustrim

Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa ka treguar se cilat zona të vendit janë më të rrezikuar në rast tërmeti. Ai i ka klasifikuar zonat në bazë të shkallës së rrezikshmërisë.

“Zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës janë; zona sizmogjene Pejë-Istog, ZS Ferizaj-Viti-Gjilan, ZS Kopavnik, ZS Prizren-Gjakovë, këto janë zona që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.5 shkallë të richterit, kurse zonat me rrezik më të ulët, ZS Drenicë, ZS Prishtinë-Mitrovicë, këto janë zonat që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.1 shkallë të richteri”, ka sqaruar ai.

Ai përmendi dhe tërmetin më të fuqishëm që e ka goditur Kosovën ndonjëherë.

“Kosova gjeografikisht është në zonën e kontaktit së dy pllakave të mëdha tektonike, në njërën anë të Afrikës që shtyn Euro-Aziatiken dhe qëndron në themel të saj. Për këto arsye, vendet në zonën mesdhetare i përkasin vendeve me rrezik të lartë sizmik duke përfshirë edhe zona përreth. Tërmeti më i fortë i regjistruar dhe i dokumentuar në Kosove është tërmeti i vitit 1921, në zonën Viti-Ferizaj- Gjilan me një magnitud prej 6.1 në shkallën Richter dhe një intensitet prej 8.5 ballë Mercali”, deklaroi Mustafa.

Drejtori i Institutit potencoi edhe karakteristikat që duhen pasur parasysh për një tërmet.

“Meqenëse nuk ka ende pajisje për parashikimin e tërmeteve të saktë për kohën, lokacionin dhe madhësinë, karakteristikat themelore të rrezikut sizmik përcaktohen në bazë të të dhënave për tërmetet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe ato tërmete jashtë territorit të Kosovës, të cilat kanë efekte të konsiderueshme në territorin tonë . Në përgjithësi nuk ekziston asnjë rregull i tërmeteve si peridotitet, por vetëm për sa i përket probabilitetit të ndodhjes së ngjarjeve në një vend të caktuar, bazuar në katalogun e tërmeteve dhe disa faktor, si tektonik, gjeologjik si dhe topografik, të studiuara dhe të llogaritura në përpilimin e hartave të Rrezikut Sizmik”, sqaroi i pari i Instituti Sizmologjik.

Kujtojmë që 6 muaj më parë Kosova u godit nga një tërmet me magnitudë 2.8 të shkallës së Rihterit. Epiqendra e tij ishte në Viti, Kaçanik dhe fshatin Nikaj. Për fat ë mirë nuk ka shkaktuar as dëme në njerëz e as materiale.

Ndërkohë, dje Turqia e Siria u goditën nga një tërmet me magnitudë prej 7.8 të shkallës së Rihterit. Ky termet ka lënë të vdekur mijëra qytetarë. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar.

Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 ka ndodhur natën në mot të ftohtë në provincën Kahramanmarasu në juglindje, rreth 60 kilometra nga kufiri sirian. Pasuan dhjetëra tërmete më të dobëta dhe një tjetër me magnitudë 7.5 ballë ndodhi pasdite, gjithashtu në juglindje të Turqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat