​Vitia: Udhëzimi administrativ i ri për shkollimin specialistik është në fazën finale

Aktuale

​Vitia: Udhëzimi administrativ i ri për shkollimin specialistik është në fazën finale

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 13:19
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se udhëzimi administrativ për shkollimin specialistik është në fazën finale. Ai ka njoftuar se pas konsultimeve publike dhe nënshkrimit nga ai, do të hapet konkursi për specializantët. Kështu ka bërë të ditur i pari i Shëndetësisë, teksa ka marrë pjesë në përkujtimin e profesionistëve shëndetësorë. Vitia tha se të njëjtit kanë punuar me dekada në shërbim të shtetit, pavarësisht kushteve jo të mira.

Ministri i Shëndetësisë bashkë me odat e profesionistëve shëndetësorë kanë vendosur lule pranë obeliskut në hyrjen kryesore të QKUK-së.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka kujtuar të gjithë mantel-bardhët të cilën dhanë jetën në vendin e tyre të punës edhe gjatë kohës së pandemisë.

“Për shumë vite kanë dhënë për shoqërinë, qoftë në shtet ndërtimin e Republikës, qoftë në sakrificën që kanë dhënë për vite të tëra edhe në kushtet më të vështira, maksimumin e tyre për shëndetin dhe shërbime shëndetësore që qytetarët mos të mbesin pa këto shërbime. Gjendemi këtu për të dhënë një mirënjohje të thellë për profesionin e mjekut dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, të cilët pavarësisht kushteve në të cilat ka kaluar shteti jonë gjithë këto dekada, kanë qenë në krye të detyrës jo vetëm në aspektin profesional por edhe në atë intelektual”, ka thënë Vitia.

Më tej, u zotua se do të qëndrojnë pranë profesionistëve për përmirësimin e kushteve të punës dhe angazhimin e tyre human të përditshëm.

Ai është pyetur edhe për konkursin e specializantëve, për çka tha se viteve të fundit ka pasur fluks të madh të largimit të infermierëve e mjekëve.

“Udhëzimi administrativ i ri për shkollimin specialistik, i cili mendoj që do të jetë shumë më i avancuar se i kaluari, ku shfrytëzoj rastin të falënderojë edhe përfaqësuesit e odave respektive që na kanë ndihmuar në këtë udhëzim, mendoj që do të adresojë shumë gjëra të cilat më herët nuk kanë qenë të adresuar. Dhe ky udhëzim administrativ është në fazën e fundit finale, drafti final tashmë veç është paraqitur, do të kalojë në procedurat normale, duke përfshirë edhe ato të konsultimit publik dhe në momentin e parë që do të nënshkruhet nga ana ime do të hapet konkursi për specializim”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë.

Vitia shtoi se kanë punuar për paga dinjitoze, përmirësimin e kushteve të punës dhe mundësisë së shkollimit dhe të avancimit profesional.

E kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka folur për kontributin e mjekëve dhe infermierëve, duke shtuar se është me rëndësi që të punohet për sistem më të mirë shëndetësor.

“Kontributi i tyre, sakrifica e tyre është një nder për organizatat dhe nder për secilin individ që mundohemi së paku që të përmirësojmë dhe të vazhdojmë punën sa më mirë të cilët në rrugën që e kanë trasuar pararendësit tanë. Besoj që ne si organizata bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë do të mundohemi ta bëjmë një gjë të tillë, më të mirën që dimë, më të mirën që mundemi dhe me rëndësi është që të jemi bashkë dhe të punojmë për të mirën e sistemit shëndetësor dhe shtetin si kulm i gjitha këtyre të mirave”, ka theksuar ai.

Kujtojmë se, infermierët e angazhuar në institucionet publike janë shprehur të pakënaqur me koeficientin e ri të pagave prej 105 euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat