Policia e Kosovës demanton mediat serbe: Asnjë serb nuk është keqtrajtuar nga njësiti ROSU

Aktuale

Policia e Kosovës demanton mediat serbe: Asnjë serb nuk është keqtrajtuar nga njësiti ROSU

Më: 9 mars 2023 Në ora: 14:19
Foto ilustrim

Policia e Kosovës e ka demantuar një lajm që ka qarkulluar nëpër portalet serbe që ndodhen në Kosovë.

Këto portale kanë raportuar për një incident të cilin sot e ka demantuar vet Policia e Kosovës. Në këtë raportim thuhej se në fshatin Leposaviq, dy të rinj serbë janë keqtrajtuar nga njësiti ROSU i Policisë së Kosovës.

Por krejt kjo, po del të jetë e pavërtetë sipas një deklarate të Policisë së Kosovës të lëshuar sot.

“Referuar deklarimeve dhe publikimeve të datës 08.03.2023 nga disa mediume, se kinse në një fshat të komunës së Leposaviqit, dy të rinj të nacionalitetit serb janë rrahur/keqtrajtuar nga zyrtarë policorë siç e quajnë ata njësia ROSU, ju informojmë dhe njëherit sqarojmë se: Policia e Kosovës menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente”, thuhet në raporton e policisë.

Pasi ka dalë në terren, bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe.

“Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre. Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat