Krasniqi: Kurtit i kemi ofruar mbështetje të parezervë në dialog, por ai ka dështuar

Aktuale

Krasniqi: Kurtit i kemi ofruar mbështetje të parezervë në dialog, por ai ka dështuar

Më: 14 mars 2023 Në ora: 19:14
PDK

Kryetari i Parisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur sot dy Përfaqësuesit Specialë të Norvegjisë dhe Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes dhe Anzej Franges, të shoqëruar nga ambasadorët e vendeve të tyre në Kosovë.

Në këtë takim thuhet se të dy palët diskutuan për situatën aktuale politike në vend.

Krasniqi u ka thënë mysafirëve se qëndrimi i PDK-së është konsistent dhe i pandryshueshëm në raport me procesin e dialogut.

“Kosova ka pasur nevojë për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme. Fatkeqësisht, kjo marrëveshje jo vetëm që nuk është finale, por parasheh asociacionin në qendër dhe jo njohjen e ndërsjellë – duke zvarritur pafundësisht konfliktin e ngrirë me Serbinë”, shkruan Krasniqi në Facebook.

Sipas tij, “përgjegjësia e plotë bie mbi lidershipin e dobët të Kryeministrit Kurti, i cili, përkundër mbështetjes që i kemi ofruar për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës”.

Gjatë ditës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur edhe shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat