Mbi 20 organizata konfirmojnë pjesëmarrjen në marshin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Aktuale

Mbi 20 organizata konfirmojnë pjesëmarrjen në marshin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Më: 24 mars 2023 Në ora: 21:00
“Marshojmë për drejtësi”

“Marshojmë për drejtësi” do të jetë marsh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së një ditë para se të nisë gjykimi i tyre në Gjykatën Speciale.

Ismail Tasholli ideator i platformës “Liria ka emër”, ka bërë të ditur se deri sot mbi 20 organizata të ndryshme e kanë konfirmuar mbështetjen dhe pjesëmarrjen në marshin e datës 2 prill.

“Për nga thirrjet deri në ditën e sotme janë diku mbi 20 organizata që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe përkrahjen. Nuk mund të spekulojmë, por si duket do të jetë një marsh masiv që do të kërkojë drejtësinë dhe do të të provojë të japë edhe një përkrahje morale… Nga trendi, nga ajo që po na thuhet parashikojmë të jetë një marsh dinjitoz”, deklaroi Tasholli në emisionin “Ditari”..

Më tej, ai foli edhe për qëllimin këtij marshi. Tasholli tha se është e rëndësishme të ketë drejtësi, pasi sipas tij, interpretimi i padrejtë i së kaluarës ka ndikim edhe në të ardhmen e vendit.

“Qëllimi është që të jetë një lloj sinkronizimi i verdiktit të fundit të drejtësisë me të vërtetën që ka Kosova për luftën e saj. Ata atje kanë qenë themelues, kanë qenë luftëtarë dhe mënyra se si trajtohen ose mënyra se si mund të interpretohen apo të riinterpretohen konsiderojmë që është e rrezikshme për kontekstin ku jemi sot, por jo vetëm. Është e rrezikshme edhe për të ardhmen tonë sepse e djeshmja e sotshmja kanë drejtpërdrejt ndikim në përcaktimin edhe të ardhmes sonë”, u shpreh Tasholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat