Presidenca për mos-dekretimin e Isufajt: Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit mund të ushtrojë detyrën e Kryeprokurorit

Aktuale

Presidenca për mos-dekretimin e Isufajt: Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit mund të ushtrojë detyrën e Kryeprokurorit

Më: 27 mars 2023 Në ora: 17:33
Vjosa Osmani

Republika e Kosovës tash e një kohë nuk ka Kryeprokuror. Aleksandër Lumezi shkoi, por në vend të tij nuk erdhi askush. Blerim Isufaj i cili ishte i zgjedhuri i Këshillit Prokurorial, mirëpo deri tash nuk u dekretua nga Presidentja.

 Bekim Kupina këshilltar i Presidentes ka thënë se Presidentja është në pritje të afateve, për shterimin e të gjitha ankimimeve nga kandidatët e tjerë që nuk u zgjodhën nga KPK.

“Presidentja konsideron se në dritën e vërejtjeve dhe kontestimeve serioze që i janë bërë procedurës së zhvilluar në KPK, është e nevojshme që të pritet shterimi i të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese dhe ligjore që palët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore të gjitha pretendimet për parregullsi dhe shkelje ligjore që janë ngritur lidhur me këtë procedurë, duke përfshirë edhe afatin për të proceduar lëndën në Gjykatën Kushtetuese”, deklaron Kupina.

Tutje ai është shprehur se nuk e pengon asgjë Ushtruesin e Detyrës së Prokurorit për ta ushtruar këtë funksion sikurse të ishte Kryeprokuror.

“Dëshiroj të vë në dukje se nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese dhe ligjore që, derisa të vendoset çështja e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të ushtrojë të gjitha kompetencat dhe të kryej të gjitha veprimet e nevojshme, që bien brenda kompetencave të Kryeprokurorit të Shtetit”, u shpreh tutje.

Kujtojmë se Ligji për Këshillin Prokurorial u shpall anti-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat