KEDS-i: Nuk kemi informata për dy nxënësit e lënduar nga energjia elektrike

Aktuale

KEDS-i: Nuk kemi informata për dy nxënësit e lënduar nga energjia elektrike

Më: 18 prill 2023 Në ora: 13:28
KEDS

Për dy nxënësit e lënduar nga energjia elektrike në shkollën “Faik Konica”, është deklaruar zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, duke thënë se nuk ka informacione në lidhje me këtë rast.

“Aktualisht nuk kemi informatë të saktë se çka ka ndodhur në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë. E tëra çfarë dimë është se Policia e Kosovës ndodhet në vendin e ngjarjes, prandaj ju lus t’i drejtoheni Policisë”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, mjeku kujdestar në QKUK, Ejup Govori ka bërë të ditur se gjendja e të dyve mbetet stabile ndërsa njëri ka pësuar djegie serioze. Njëri prej nxënësve ka pësuar djegie vetëm në duar ndërsa tjetri në duar, në regjionin femoral dhe jo vetëm.

“Tek njëri prej tyre është më lehtë, në shuplakën e dajthtë, në djegie të shkallës së dytë, dy A dhe dy B, dhe është përpunu plaga nga kirurgu plastik, pas një observimi është pranu në kirurgjinë plastike për tretman…Tjetri i vitit 2008, janë sjellë rreth orës 11, ka djegie shumë serioze, në disa regjione, në dy shuplaka të dorës, në regjionin femural në të dy anët, në njërën anë ka shkallë shumë të rëndë… ka shkaktuar vdekje të indit, të qelizve të atij regjionit, po ashtu djegie të sipërfaqës së anës së djathtë të shpinës”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën se në rrugën George Bush  në Prishtinë, dy persona (të mitur) janë goditur nga rryma elektrike. Personat janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia në koordinim me institucionet përkatëse po trajton rastin”, ka deklaruar Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat