Sulmohen dy zyrtarë policorë në Pejë, 24-vjeçari i kërcënoi dhe rezistoi gjatë arrestimit

Aktuale

Sulmohen dy zyrtarë policorë në Pejë, 24-vjeçari i kërcënoi dhe rezistoi gjatë arrestimit

Më: 19 prill 2023 Në ora: 17:52
Ilustrim

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës.

Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Kështu ka ndodhur edhe të martën në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, ku disa zyrtarë policorë u përballën me një 24-vjeçar, i cili i pengoi teksa ishin në krye të detyrës.

Mësohet se incidenti ndodhi në orët e mbrëmjes, kur i dyshuari Y.I., fillimisht i kishte penguar policët, të cilët ishin duke intervenuar në një rast. Për të mos mbaruar me kaq, ai edhe i ka kërcënuar ata, të cilët u detyruan që ta vënë situatën nën kontroll.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtarët policorë u përballën me rezistencë gjatë arrestimit të të dyshuarit dhe për pasojë morën lëndime trupore.

Pasi i njëjti u shoqërua në stacion policor, është intervistuar nga hetuesit policorë, me ç’rast ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën për të cilën dyshohet.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për veprën “Pengim i personit zyrtar”, ndërsa vëllai i tij do të hetohet në liri për ‘Kanosje’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat