Presidentja Osmani nga Maqedonia kërkon që Serbisë t’i bëhet presion që të respektojë Marrëveshjen e Ohrit

Aktuale

Presidentja Osmani nga Maqedonia kërkon që Serbisë t’i bëhet presion që të respektojë Marrëveshjen e Ohrit

Më: 26 prill 2023 Në ora: 07:37 Përditësuar në ora: 13:41 më 26.04.2023
Stevo Pendarovski dhe Vjosa Osmani

Osmani mban fjalim para deputetëve të kuvendit maqedonas

Presidentja Vjosa Osmani, iu është drejtuar për një fjalim rasti deputeteve të Maqedonisë së Veriut, me rastin e vizitës së saj zyrtare në shtetin fqinjë.

Osmani vizitën e filloi me takim me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, ndërsa më pas u takua me kryetarin e Kuvendit atje, Talat Xhaferin.

Ajo, pas fjalës në Kuvend, do të takohet edhe me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovacevski.

Përgjatë ditës, Osmani po ashtu do të ketë takime të ndara edhe me grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend si dhe një drekë pune të përbashkët me gra lidere të fushave të ndryshme.

Osmani kërkon që Serbisë t’i bëhet presion që të respektojë Marrëveshjen e Ohrit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë të Kosovës që t’i bëjnë presion Serbisë, që të respektojë obligimet që ka marrë nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Osmani tha se Serbia me veprimet e fundit ka bërë “shkelje flagrante” të dy neneve të Marrëveshjes drejt normalizimit, që u arrit në fund të shkurtit në Bruksel, dhe të aneksit të saj, që u arrit një muaj më vonë në Ohër.

Kjo marrëveshje synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.

Ajo tha se në rundin e ri të dialogut, që mbahet më 2 maj në Bruksel, Kosova do të ketë qasje konstruktive dhe të hapur.

“Se cilat do të jenë veprimet e Serbisë, pak a shumë mund t’i nuhasim nga deklaratat e fundit, e mbi të gjitha nga veprimet të cilat kanë qenë shkelje e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër. Siç e dini, neni 4 i kësaj marrëveshjeje parasheh që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sjellja e tyre të hënën në Këshillin e Evropës, por edhe lobimi i tyre kundër votimit pro Kosovës e ka dëshmuar këtë shkelje flagrante. Natyrisht, edhe ndërhyrja e tyre e paligjshme në zgjedhjet në Kosovë, është edhe shkelje e nenit 2 të kësaj marrëveshjeje”, tha Osmani gjatë konferencës për media me homologun e saj maqedonas, Stevo Pendarovski.

Më 24 prill, në takimin e Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës në këtë organizatë evropiane.

Autoritetet serbe madje kanë paralajmëruar se do të përdorin masën e reciprocitetit ndaj shteteve që nuk respektojnë integritetin territorial të Serbisë.

Sipas Kushtetutës serbe, Kosova figuron pjesë e territorit të Serbisë.

Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se shteti i tij ka qëndrim të njëjtë si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Serbisë, pasi që njeh pavarësinë e të dyjave dhe ka raporte diplomatike.

Ai tha se këto dy shtete mund të mësojnë nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut.

“Nëse dikush dëshiron të marrë përvoja nga ajo që ne arritëm me Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001 nuk do të gabojë, edhe pse specifikat e çdo shteti diktojnë edhe zgjidhje specifike për ato shtete. Nuk them se situatat janë identike apo që zgjidhjet tona të mund të reflektohen edhe në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por mund të merret ajo çfarë mendojnë se është e mirë. Por, vendimi final se çfarë do të pranojnë në atë dialog kuptohet se i takon organeve legjitime në Prishtinë dhe Beograd. Ne jemi fqinj të mirë që duam të shohim fundin e këtij kontesti të gjatë, që realisht ngadalëson bashkëpunimin rajonal që është shumë i rëndësishëm për përgatitjen e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike”, tha Pendarovski.

Gjatë qëndrimit në Shkup, presidentja Osmani po ashtu tha se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka tendenca destabilizuese, që sipas saj, duhet që të parandalohen, si dhe ka ndikim malinj të Rusisë.

Osmani në Shkup, Pendarovski e pret me ceremoni

Presidentja Vjosa Osmani ka mbërritur në Shkup për një vizitë zyrtare, me ftesë të homologut të saj maqedonas, Stevo Pendarovski.

Osmani u prit me ceremoni shtetërore, para se të futej në Presidencën maqedonase për takimin me Pendarovskin.

Sipas agjendës, pas takimit, Osmani dhe Pendarovski pritet ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë ditës Osmani do të takojë edhe zyrtarë të tjerë, përfshirë kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin. Është planifikuar që Osmani gjithashtu t’u drejtohet me një fjalim deputetëve të Maqedonisë së Veriut.

Osmani, përveçse në Shkup, do të qëndrojë edhe në Tetovë e Manastir.

Osmani për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, do të pritet nga Pendarovski

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të homologut Stevo Pendarovski do të fillojë sot (e mërkurë) vizitën zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Bëhet e ditur se në kuadër të kësaj vizite, Osmani pas takimit me Pendarovskin dhe konferencës së përbashkët për medie, do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, e pastaj pritet t’i drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Ajo do të takohet edhe me kryeministrin Dimitar Kovacevski, ndërsa takime të ndara do të ketë edhe me grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend si dhe një drekë pune të përbashkët me gra lidere të fushave të ndryshme.

“Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, presidentja Osmani do të marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova në komunën e Çairit. Ndërkaq në selinë e Ambasadës së Kosovës, presidentja Osmani do ta dekorojë post-mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, liderin ikonik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, i cili shquhet edhe për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve kudo. Presidentja Osmani do ta dhurojë po ashtu një kontingjent librash për bibliotekën në gjuhën shqipe në Manastir”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Maqedoni të Veriut, Presidentja Osmani do të vendosë lule te shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, te busti i Hasan Prishtinës dhe pllakës së Nënë Terezës, si dhe do ta vizitojë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSHM).

Presidentja Osmani gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut do ta vizitojë edhe Tetovën ku do ta takojë kryetarin e komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune.

Vizitën në këtë komunë, Presidentja Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat