Mehmet Bojkaj nga Isniqi i Deçanit që ka drejtuar edhe shtabin e fshatit Isniq ka rrëfyer për rastin e dorëzimit të armëve tek serbët në shtatorin e vitit 1998.
Bojkaj ka thënë se një veprim të tillë e kishin ndërmarrë pas një presioni të madh të regjimit të Millosheviqit dhe me qëllim të shpëtimit të popullatës civile, që në atë kohë kishin qenë rreth 80 mijë të grumbulluar në Isniq.
“Fjala është për 8 shtatorin 1998. Në mëngjesin e 8 shtatorit na i ka çu disa njerëz sigurimi i shtetit serb, dhe na kanë dhënë duhet me i dorëzu armët ose fillon bombardimi në mesditë. Në Isniq kanë qenë diku rreth 80 mijë njerëz të strehuar. Ata kanë qenë të strehuar nëpër objekte e disa edhe në natyrë. Ne kemi thënë jo, dhe na i kanë dërgu për të dytën herë ata njerëz. Edhe për dytën herë i kemi refuzu. Na i kanë dërgu edhe të tretën herë”, ka thënë Bojkaj.
Ai thotë se kishin marrë informacione se ushtria serbe kishte bërë një organizim masiv dhe kishin marrë vendimin për dorëzim të armëve me qëllim të shpëtimit të popullatës civile.
Por thotë se për vendimin për dorëzimin e armëve s’kanë pasur me kë të konsultohen meqë aty s’kanë qenë as ushtarët e Ramush Haradinajt e as të Tahir Zemajt.
“Derisa i pamë konvojet e ushtrisë serbe, e ditëm që po përgatitet diçka.
Dhe e morëm vendimin që ne të bëjmë atë, të tërhiqemi prej pikave. Faktikisht ata lypnin edhe armë. Ne iu tham që po tërhiqemi nga pikat vetëm të sigurohet popullata.
S’kemi pasur me kë të konsultohemi. Ushtarët e Ramush Haradinajt s’kanë qenë aty, as të Tahir Zemajt”, ka thënë ai.
Bojkaj ka deklaruar se po përgatitej një Srebrenicë e dytë në Isniq.
Se serbët kishin përgatitur një ofensivë të madhe, e ka konfirmuar edhe historiani Shkodran Imeraj. Ai ka thënë se një gjë të tillë e konfirmon edhe një dokument i NATO-s që tregon se në afërsi të Isniqit kanë qenë të rreshtuara rreth 250 automjete të ushtrisë serbe.
“Ekziston një dokument i NATO-s që në atë kohë kanë qenë 250 automjete të ushtrisë serbe në afërsi të Isniqit.
Konisderoj që ka qenë meritë e shtabit të Isniqit për vendimin që e kanë marrë”, ka thënë Imeraj në T7.