Abazi sqaron situatën e pakëndshme në Kuvend me Salih Zybën

Aktuale

Abazi sqaron situatën e pakëndshme në Kuvend me Salih Zybën

Më: 3 maj 2023 Në ora: 21:42
Haki Abazi

Deputetit tashmë të pavarur, Haki Abazit, i është ndërruar ulësja në Kuvendin e Kosovës, për çka ai thotë se nuk ishte i informuar aspak se një gjë e tillë do të ndodhte.

Abazi tha se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi ishte manipuluar duke i thënë se ai vetë ishte në dijeni se do i ndërrohej vendi.

“Është e dhimbshme që realisht unë nisem për në sallën e Kuvendit, shkoj tek ulësja ku e kam edhe kartelën me të cilën paraqitesh për fjalë dhe aty është i ulur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi dhe unë nga ai kërkova ta dijë pse është tërhequr kartela. Ai më tha që i është thënë që tani e tutje duhet të ulet në vendin tim. Unë i tregova që nuk jam fare i informuar për këtë vendim dhe derisa nuk kam një vendim të tillë, i kërkova të ma liroj vendin. Sigurisht që Muzaqi u ndje keq, ai sigurisht ishte i keqinformuar, ishte manipuluar duke i thënë që unë jam i informuar. Por, unë as në emailin zyrtar, e as në telefon nuk jam informuar për këtë çështje”, tregoi Abazi.

Madje, Abazi pretendoi se deputeti tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, Salih Zyba, kishte tentuar të krijojë një situatë të pakëndshme mes tij dhe deputetit Muzaqi.

“Zyba qëndronte mbi kokën time, duke tentuar të krijojë një situatë të pakëndshme aty brenda. Ne megjithatë nuk jemi shkollë e mesme, pavarësisht se si e konsiderojnë njerëzit punën e deputetit”, shtoi ai tutje.

Megjithatë, Abazi tha se do ishte e rrugës që ai të informohej paraprakisht se vendi i tij në Kuvend do të ndërrohej.

“Nëse ke durimin dhe tolerancën që të ulesh me Vuçiqin me orë të tëra, kanë mundur të ma shkruajnë një email ose dokument ku do isha informuar. Në këtë mënyrë nuk do të ballafaqohesha me situata të tilla”, theksoi Abazi në Tëvë1.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat