Kryesia e LDK-së mblidhet sot në ora 15:00, pritet të shpallen zgjedhjet e brendshme në parti

Aktuale

Kryesia e LDK-së mblidhet sot në ora 15:00, pritet të shpallen zgjedhjet e brendshme në parti

Më: 24 maj 2023 Në ora: 11:02
Lumir Abdixhiku

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet të mblidhet sot në ora 15:00 për propozimin e caktimit të datës së Kuvendit të ri Zgjedhor të kësaj partie.

Në këtë mbledhje, sipas një burimi brenda LDK’së, me caktimin e datës së Kuvendit të ri Zgjedhor, LDK’ja hapë edhe garën për kandidaturat e reja zyrtare për kryetar të partisë.

Kuvendi i ri, përveç Kryetarit, pritet të nxjerrë edhe Kryesinë e re të partisë dhe organet tjera drejtuese.

Në LDK, një proces i brendshëm zgjedhor ka më shumë se një vit që është duke u zhvilluar në disa degë të partisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës kuvendin e fundit zgjedhor e ka zhvilluar me 14 mars 2021, pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 14 shkurt të atij viti, që çoi në dorëheqjen e ish-kryetarit Isa Mustafa. Nga ky Kuvend, LDK-ja doli me kryetar të ri – Lumir Abdixhikun – dhe me kryesi të re. Përballë tij, Abdixhiku kishte edhe dy kandidatë tjerë për kryetar të LDK-së, nënkryetarin Lutfi Haziri dhe anëtarin e kryesisë, Besian Mustafa.

Kryetari aktual, Lumir Abdixhiku pritet që sërish të synojë drejtimin e partisë për një mandat të plotë, duke kërkuar besimin nga strukturat e reja të partisë të zgjedhura nga procesi i brendshëm në LDK, që përfundon me Kuvendin e ri zgjedhor.

Ndonëse zyrtarisht pritet të mësohet të mërkurën nga Kryesia e LDK’së, si datë e mundshëm për mbajtjen e Kuvendit të ri zgjedhor të kësaj partie, përmendet shtatori i këtij viti. Ndërsa, ambiciet për t’ia marrë postin e kryetarit Lumir Abdixhikut, deri më tash zyrtarisht në publik ende asnjë zyrtarë nuk i ka shprehur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat