LIVE: Raportohet për shpërthim në orët e vona në Zveçan, mjeti u hodh drejt trupave të KFOR-it

Aktuale

LIVE: Raportohet për shpërthim në orët e vona në Zveçan, mjeti u hodh drejt trupave të KFOR-it

Nga: Bota sot Më: 30 maj 2023 Në ora: 07:24 Përditësuar në ora: 22:56 më 30.05.2023
Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

KFOR-i konfirmon se një mjet shpërthyes u hodh në drejtim të tyre në Zveçan

Një mjet shpërthyes është gjuajtur në drejtim të trupave të KFOR-it në Zveçan në orët e mbrëmjes.

Lajmin për teve1.info e kanë konfirmuar nga misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë.

Ata kanë thënë se megjithatë nuk ishte diçka serioze.

”Nuk ishte asgjë serioze”, ka thënë Andrea Gallieni nga Zyra për Çështje Publike në KFOR.

RTK: Shpërthim në orët e vona në Zveçan

Një shpërthim është dëgjuar në orët e vona në qytetin e Zveçanit, në veri të Kosovës.

Gazetarja e RTK-së, Edonë Podvorica në lidhje direkte nga Zveçani, raportoi se në orët e mbrëmjes ka pasur një shpërthim.

Ajo tha se nuk dihet ky shpërthim ishte shkaktuar nga ndonjë shok bombë apo koktej molotovi.

Sidoqoftë, gazetarja konfirmoi se janë trupat e KFOR-it, drejt të cilave është hedhur ky mjet shpërthyes. E njëjta deklaron se një grup serbësh, janë duke provokuar vazhdimisht trupat e NATO-s edhe në orët e mbrëmjes.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për tensionet në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar mbi situatën aktuale në veri.

Policia njofton se herë pas herë situata ka qenë e brishtë, dhe është karakterizuar me sulmet nga grupet kriminale ndaj gazetarëve të mediave të ndryshme, përcjell Bota sot.

“Pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, si dhe dëmtimi i automjeteve janë veprime kriminale, të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës”, thuhet tutje në njofimin e Policisë.

Njoftimi i policisë:

Prishtinë, më 30 maj 2023

Sot, situata e sigurisë në veri të vendit ka qenë e brishtë, por kryesisht e qetë, përjashtuar në komunën e Leposaviqit ku kohë pas kohe është tensionuar, pasi protestuesit/grupet kriminale, kanë penguar dhe sulmuar me gjësende të ndryshme, të forta gazetarë të mediave të ndryshme. Po ashtu edhe disa vetura të mediave, të cilat kanë qenë të parkuara në lokacione të ndryshme, janë sulmuar dhe dëmtuar nga mjetet e forta të hedhura brenda dhe jashtë veturave.

Pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, si dhe dëmtimi i automjeteve janë veprime kriminale, të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës.

Në orët e pasdites, protestat pran objekteve të tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kanë përfunduar, përjashtuar një numër i vogël i protestuesve vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës së Leposaviqit. Monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucionet relevante të sigurisë kanë vazhduar në të gjitha lokacionet.

Situata në veri, NATO dërgon edhe 700 ushtarë të KFOR-it në Kosovë

Në Kosovë së shpejti pritet të vijnë edhe 700 trupa të Aleacës Veri- Aatlantike NATO.

Kështu ka bërë të ditur të martën sekretari i Përgjithshëm i NATO –s, Jens Stoltenberg.

“Ne kemi vendosur që brenda ditëve të dërgojmë 700 trupa të tjera në Kosovë dhe të vendosim forca shtesë në gatishmëri më të lartë. Këto janë hapa të kujdesshëm, garantues  të NATO-s.

“KFOR ka forca dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e OKB-së”, tha Stoltenberg.

Vendimi për trupa shtes ka ardhur pas gjendjes së tensonuar në veri të Kosovës.

Të hënën, pati incidente mes trupave të KFOR-it dhe protestuesve serbë.

Më 29 maj, trupat e KFOR-it ndërhyn në Zveçan, pasi paralajmëruan protestuesit serbë që të shpërndaheshin, por ata nuk u bindën.

Serbët lokalë protestuan kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Ata po ashtu kanë kërkuar që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu.

KFOR tha se ndërhyri në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit” dhe se paqeruajtësit “parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës”

Sipas KFOR-it, rrëth 25 pjestarë ushtarakë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre ka pasur edhe të plagosur

Leposaviq: Kryetari mbetet në zyrë

Gazetari Flamur Gajtani, ka qëndruar sot në Leposaviq, nga ku për shikuesit e Klan Kosovës sjellë detaje me një përmbledhje të asaj se çfarë ka ngjarë sot atje.

Ai shprehet se që nga ora 06:00 e mëngjesit ka pasur një numër protestuesish që kanë qëndruar pranë objektit të Komunës së Leposaviqit për të kundërshtuar krejt zhvillimet e ditëve të fundit që kanë ngjarë në veri.

“Kur kanë kaluar më shumë se 36 orë, kryetari i ri i kësaj komune ende vazhdon të jetë aty dhe nuk ka dalë për asnjë moment as jashtë objektit dhe as nuk është parë në dritare të objektit të komunës”, shprehet Gajtani.

Sipas tij, e gjithë situata mes protestuesve dhe KFOR-it italian sot është karakterizuar e qetë, pavarësisht se herë pas here ka pasur disa tensione, sidomos si në një rast kur dy udhëheqësit e protestës, që janë ish-kryetari i Leposaviqit Zoran Todiq dhe ish-deputeti i Listës Serbe Sllavko Simiq kanë kaluar kordonin e KFOR-it dhe janë futur brenda për të diskutuar me udhëheqësit dhe në atë moment ka pasur edhe një eskalim të protestuesve ndaj mediave kosovare.

Mbarojnë protestat në veri, edhe sot u sulmuan mediet

Protestat e strukturave paralele serbë në veri të Kosovës, të dirigjuara edhe nga Lista Serbe, tashmë kanë përfunduar në tri komunat, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

Megjithatë, protestuesit sot nuk janë përplasur me KFOR-in apo Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, por me gazetarët që kanë raportuar.

Cak i sulmeve ishin e dhe ekipet e RTK-së, në Leposaviq e Zubin Potok.

Gazetarja e RTK-së, Edonë Podvorica, së bashku me kameramanin Lorik Salihu, inxhinierin Fatlum Hamiti  e vozitësin Lorik Xhoci, kanë raportuar gjatë tërë ditës nga Zveçani.

Në lidhjen direkte në emisionin “Info Plus” në orën 17:00, gazetarja deklaroi se në Zveçan, protestuesit gjatë tërë  ditës kanë qëndruar pak më të qetë, përveç rasteve kur kanë menduar se mediat po i provokojnë, e që sipas tyre, provokim për ta ka qenë edhe fakti kur kemarat kanë xhiruar vetëm pamje.

​Situatë e qetë në Zveçan, numër më i vogël i protestuesve

Aktualisht në Zveçan situata është e qetë dhe numri i protestuesve është më i vogël. Nga protesta janë larguar përfaqësuesit e Listës Serbe.

Ndërsa është parë ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, teksa ka qëndruar disa minuta.

Situata po vëzhgohet edhe nga një helikopter i KFOR-it.

Një ditë më parë, pjesëtarët e KFOR-it janë ballafaquar me protestuesit ku këta të fundit kanë hedhur mjete të ndryshme në drejtim të tyre duke i lënë të lënduar rreth 30 ushtarë.

Protestuesit serb po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale

Ekipi i REL sulmohet në Zubin Potok

Ekipi i Radios Evropa e Lirë është sulmuar në Zubin Potok, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Pas përfundimit të protestës së serbëve në këtë komunë pak pas orës 15:00, REL raporton se vetura me të cilën po udhëtonte ekipi është sulmuar me një mjet shpërthyes nga banorët lokalë.

Pavarësisht se nuk dihet se me çfarë mjeti është sulmuar vetura, gazetarët thanë se shpërthimi ishte i fuqishëm.

Nga ky sulm, që ndodhi teksa vetura ishte në lëvizje, asnjëri nga pjesëtarët e ekipit të REL-it nuk ka pësuar lëndime.

Ekipet e gazetarëve të mediumeve të ndryshme, që kanë raportuar nga veriu i Kosovës lidhur me protestat e banorëve lokalë, kanë qenë cak i disa sulmeve më 30 maj, ka raportuar gjatë ditës Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës./REL

Millosavleviq: Nesër protesta do të jetë edhe më masive

Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zveçanit Sërgjan Millosavleviq, ka paralajmëruar se nesër protesta do të jetë edhe më masive.

Millosavleviq para gazetarëve iu bëri thirrje serbëve që të jenë të qetë.

“Nuk duhet të lejojmë që fati ynë të varet nga interesa të individëve. Ka kush të mendojë për të gjitha ato, ne shpresojmë që do të jemi si gjithmonë të denjë dhe të tregojmë dhe jemi të drejtë dhe dëshirojmë të jetojmë këtu”, tha ai.

Ai theksoi se serbët duhet të jenë të bashkuar.

“Të jemi të qetë, të bashkuar dhe në një këtë mënyrë ta tregojmë pakënaqësinë tonë me vendimet për uzurpimin e territorit tonë dhe e vënë në pikëpyetje mbijetesën tonë”, tha ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zveçanit.

Ish-kryesuesi i Kuvendit të Zveçanit shtoi se ata do të protestojnë deri në lirimin dy të arrestuarve Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët u arrestuan pas përleshjes me KFOR-in.

Sërgjan Millosavleviq, theksoi se do të protestojnë po ashtu edhe deri në largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Petkoviq: Incidentet e 29 majit do të parandaloheshin nëse KFOR-i do ta përmbushte mandatin paraprakisht

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe - duhet të largohen nga ndërtesat komunale, dhe se Policia e Kosovës duhet të largohet nga veriu i Kosovës.

Sipas një deklarate për media, Petkoviq i ka bërë këto deklarata të takim me ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Serbi, Anke Konrad dhe Pierre Cochard.

Petkoviq, ka thënë, po ashtu, se incidentet e 29 majit do të mund të parandaloheshin nëse KFOR-i “do ta përmbushte mandatin e tij të premten, që t’i parandalonte kryetarët e paligjshëm, si dhe anëtarët e forcës speciale”, duke iu referuar njësiteve të Policisë së Kosovës.

“Serbët janë të vendosur për të mbrojtur të drejtën e tyre për të jetuar dhe mbijetuar në Kosovë, dhe Serbia e Beogradi do të vazhdojnë të jenë në mbrojtje të tyre, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e provincës dhe rajonit”, ka thënë mes tjerash Petkoviq./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat