Tensionet në veri, ambasadori suedez viziton Zveçanin

Aktuale

Tensionet në veri, ambasadori suedez viziton Zveçanin

Më: 30 maj 2023 Në ora: 16:04
Pjesëtarët e KFOR-it

Pas tensioneve në veri, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund është parë në komunën e Zveçanit.

Gazetarja Dorentina Thaqi që gjendet në vendin e ngjarjes ka raportuar se ambasadori suedez nuk ka pranuar të flasë për media.

Një zyrtar i KFOR-it u ka thënë mediave që të kenë kujdes dhe të mos qëndrojnë shumë afër objektit të komunës pasi në mesin e protestuesve ka persona të rrezikshëm.

Image
Jonas Westerlund

Ndryshe më herët, Sërgjan Millosavleviq, nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, u ka bërë thirrje protestuesve në Zveçan, që të shpërndahen rreth orës 16:00, dhe të mblidhen sërish të mërkurën në protestë paqësore duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit.

Millosavleiq, ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, ka thënë se protestat e komunitetit serb do të vazhdojnë derisa të përmbushen kërkesat e tij, përkatësisht tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri, ashtu si edhe kryetarëve shqiptarë.

Lista Serbe ka kërkuar më herët që të lirohen edhe protestuesit e arrestuar një ditë më parë gjatë një përplasjeje me ushtarët e KFOR-it.

Situata sot në Zveçan është raportuar më e qetë krahasuar me incidentet e djeshme.

Në Zveçan dje protestuesit serbë u përleshën me trupat paqeruajtëse të KFOR-it. Nga përleshjet u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it dhe u raportua për dhjetëra të lënduar nga ana e protestuesve.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat