Selimi tha se po shqyrtohet pezullimi i liberalizimit të vizave, reagon Von Cramon: Procesi nuk mund të kthehet pas

Aktuale

Selimi tha se po shqyrtohet pezullimi i liberalizimit të vizave, reagon Von Cramon: Procesi nuk mund të kthehet pas

Më: 31 maj 2023 Në ora: 13:17
Von Cramon, Selimi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selim, të mërkurën në llogarinë e tij në Twitter publikoi një informacion që sipas tij, është më i fundit nga diskutimet brenda Bashkimit Evropian.

Ai tha se të paktën tri shtete anëtare të BE-së, emrat e të cilëve nuk i përmendi, po e shqyrtojnë kërkesën për pezullimin e fondeve të IPA-s dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Informacioni më i fundit nga diskutimet brenda BE-së. Të paktën tri shtete anëtare të BE-së (nuk do t’i përmend këtu) po shqyrtojnë kërkesën për pezullimin e fondeve të IPA-s dhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Lëvizje drastike, e papranueshme, nëse shtyhen. Tani na duhen zgjidhje konkrete të paraqitura nga ana e Kosovës”, shkroi Selimi.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar menjëherë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon duke thënë se këto informacione po i dëgjon për herë të parë.

Në reagimin e saj, ajo gjithashtu ka thënë se mund të imagjinojë se kush qëndron pas kësaj, ndërsa ka shtuar se të bëhen pyetje për liberalizimin e vizave dhe fondet e IPA-s është absolutisht e pakthyeshme.

“Këto informacione i dëgjoj për herë të parë. Mund të imagjinoj se kush mund të qëndrojë pas kësaj, por të bëhet pyetje për liberalizimin e vizave dhe fondet e IPA-s është absolutisht e pakthyeshme”, ka shkruar Von Cramon.

Ajo ka shtuar se duhet një zgjidhje urgjente politike për çështjen e veriut të Kosovës.

Për çështjen e liberalizimit të vizave dhe për mundësinë që BE-ja të pezullojë këtë proces të mërkurën u pyet edhe kryeministri Albin Kurti në konferencën globale të sigurisë Globsec në Bratisllavë.

“Jam i brengosur por kurrë i frikësuar, është puna ime të mos jem i frikësuar por i brengosur”, tha Kurti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat