​Hoti flet për Deklaratën për të Zhdukurit: Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’

Aktuale

​Hoti flet për Deklaratën për të Zhdukurit: Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’

Më: 31 maj 2023 Në ora: 13:59
Foto nga vendngjarja

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Projektligji për Personat e Zhdukur është afër finalizimit, por nuk kanë arritur dakordim për të involvuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur.

Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ai foli edhe për termin ‘personat e zhdukur me forcë’ në kuadër të deklaratës për të zhdukurit. Për këtë janë përplasur edhe deputetët e pozitës dhe opozitës.

Më tej, ai tha se Serbia është pajtuar për qasje në dokumentacione, megjithatë nuk e din nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

Kryetari Hoti tha se termi i vendosur në deklaratën e personave të zhdukur ka qëllim trajtimin e dinjitetshëm të tyre.

Hoti: Termin ‘personat e zhdukur me forcë’ e kemi futur në deklaratën e përbashkët të Brukseli

“Termi ‘personat e zhdukur me forcë’ nuk ka ekzistuar askund. Nuk po them që nuk e kemi ditur se çfarë është, por nuk ka ekzistuar askund. Termin ‘personat e zhdukur me forcë’ e kemi futur në deklaratën e përbashkët të Brukselit. Ky term është refuzuar prej Serbisë prej shtatorit 2021 deri në prill kur e kemi pasur takimin e fundit, për shkak se Serbia u frikësonte se përmes këtij termi ne do të kërkojmë përgjegjësi juridike dhe do të akuzojmë direkt për krimet e luftës që i ka bërë, që në fakt i ka bërë. Megjithatë, në fund në takimin në Bruksel dhe jemi pajtuar që termi ‘personat e zhdukur me forcë’ të përdoret në këtë deklaratë dhe çështja tjetër ka qenë bujë prapë në media-personat e zhdukur me forcë apo me dhunë. Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’ në gjuhën angleze, në asnjë prej dokumenteve zyrtare. Personat e zhdukur me forcë apo forcibly disappeared që për ekspertët apo juristët është term dhe sinonim i njëra-tjetrës”, deklaroi Hoti.

Tutje, Hoti ka thënë se edhe në Gjykatën Evropiane të Njeriut përdoret termi ‘personat e zhdukur me forcë’.

Sipas tij, në sekonda të fundit në takimin e Ohrit kanë arritur ta fusin në aneks marrëveshje, çështjen e personave të zhdukur.

Hoti: Kemi arritur që BE-në ta bëjmë pjesë direkte të çështjes së personave të zhdukur

"Ne kemi arritur që Bashkimin Evropian ta bëjmë direkte pjesë të çështjes së personave të zhdukur. Deri tash nuk ka qenë direkt e involvuar në çështjen e personave të zhdukur. Tash do të themelojmë komisionin e përbashkët, e cila do të udhëhiqet prej BE-së, ajo do të jetë bashkë me ne në këtë proces. Ne veç kemi pranuar draftin e formimit të komisionit të përbashkët, i cili natyrisht duhet të bëhet publik nga zotëri Lajçak dhe zotëri Borrel, pas harmonizimit të saj. Parashihet që brenda 60 ditëve pas aprovimit të deklaratës, pas 2 majit, do të formohet komisioni i përbashkët, do të mbahet mbledhja e parë dhe do të fillojë puna jonë në fazën e implementimit të deklaratës”, tha ai.

Me deklaratën për personat e zhdukur, siç tha Hoti, Serbia është pajtuar për qasje në të gjitha dokumentacionet, përfshirë edhe ato sekrete të klasifikuara. Megjithatë, shtoi se ka arsye të mjaftueshme që të mos i besojë Serbisë.

Hoti: Me deklaratën për personat e zhdukur, Serbia është pajtuar për qasje në dokumentacione

“Me këtë deklaratë, ata veç janë pajtuar që të qasen në të gjitha dokumentacionet, çfarëdo lloj dokumentacioni, audio, video, të shkruar. Duke i përfshirë edhe ato sekrete, të klasifikuara. Se sa do të zbatohet kjo, natyrisht nuk varet më prej meje. Mirëpo ne e kemi tashmë në deklaratë”, ka shtuar ai.

Kryetari i Komisionit Qeveritar ka shtuar se kanë arritur të harmonizojnë të dhënat përgjatë viteve. Tutje, deklaroi se është në finalizim Ligji për Personat e Zhdukur.

Hoti: Ligji për Personat e Zhdukur është afër finalizimit

“Ligji për Personat e Zhdukur është në plotësim-ndryshim që shumë vite, është shumë e vërtetë që është shumë e dhimbshme. Ne jemi afër finalizimit të tij, mirëpo nuk kemi arritur që të gjejmë një pajtueshmëri, një dakordim për të involvuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur”, deklaroi Hoti.

Çështja e deklaratës për personat e zhdukur dhe termit të vendosur ka përplasur deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetja Ariana Musliu-Shoshi tha se në komision do të duhej të raportonte zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili sipas saj, ka bërë pazare.

Musliu-Shoshi: Besnik Bislimi është i ngarkuar nga qeveria që të bëjë pazare

“Është dashur që Besnik Bislimi të jetë në këtë tavolinë, sepse ai është personi që është i ngarkuar nga qeveria që të bëjë pazare me Brukselin dhe me palët tjera. Prandaj, për të gjitha ato që i ka negociuar dhe po i mban të fshehura, është dashur që të jetë sot këtu dhe të raportojë për atë çfarë ne kemi kërkuar”, tha Musliu-Shoshi.

Më pas ka reaguar deputetja e shumicës, Fatmire Kollçaku Mullhaxha, e cila kërkoi që të flasin me rend.

Kollçaku-Mullhaxha-Musliu-Shoshit: Mos i përsërit fjalët 100 herë

Kollçaku-Mullhaxha: Të lutna mos i përsërit fjalët 100 herë.

Musliu-Shoshi: E di që po ju dhemb se ju ishit kundër Besnik Bislimit.

Kollçaku-Mullhaxha: Të lutem mos na i humb kohën të gjithë këta deputetë.

Musliu-Shoshi: Kërkoj prej deputetëve të LVV-së të mbajnë tensionin e ulët, të gjithë kemi të drejtë me fol në këtë kuvend, e kemi të drejtë ligjore”, kanë thënë ato.

Diskutimi ka shkuar edhe më tej kur Musliu-Shoshi u është drejtuar “me tru shpërlarë”, deputeteve të LVV-së.

Kollçaku-Mullhaxha: Kush është tru-shpërlarë këtu?

“Kryetare e ke obligim që deputetes me ia tërheq vërejtjen. Kush është tru-shpërlarë këtu. Ne duhet me u ngrit prej komisionit, kur deputetja përdor ‘tru-shpërlarë’. Ose ta tërheq fjalën ose ne po dalim prej komisionit”, deklaroi deputetja e LVV-së.

Në takimin e 2 majit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq miratuan deklaratën për të zhdukurit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat