Kundërshtohet zgjatja e afatit prej dy vitesh për aplikim të viktimave të dhunës seksuale

Aktuale

Kundërshtohet zgjatja e afatit prej dy vitesh për aplikim të viktimave të dhunës seksuale

Më: 3 qershor 2023 Në ora: 12:00
Foto ilustrim

Nga shkurti asnjë i mbijetuar i dhunës seksuale nuk ka pasur mundësi të deponojë kërkesën për njohjen e statusit nga shteti. Me përfundimin e afatit për aplikim, komisioni qeveritar është marrë me lëndët e vjetra, të personave që më parë kanë kërkuar beneficionin. Aktualisht, është në proces plotësim-ndryshimi i ligjit, i cili mundëson zgjatjen e afatit vetëm për dy vjet. Organizatat në Kosovë e Bosnje-Hercegovinë po shprehin kritikat dhe kundërshtinë për këtë propozim, meqë thonë se është e pamjaftueshme dhe mesazh jo i mirë për vetë viktimat e dhunës seksuale të luftës. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron për KosovaPress se zgjatja e afatit prej dy vitesh është kërkesë e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.

Feride Rushiti që udhëheq Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) deklaron se institucionet kanë krijuar vakuum ligjor tash e sa muaj.

Rushiti: Nga 5 shkurti asnjë e mbijetuar e dhunës seksuale e luftës nuk ka pasur mundësi të deponojë kërkesën për njohjen e statusit

“Që nga 5 shkurti deri më tani, komisioni ka pushuar së funksionuari. Ai punon me lëndë, të cilat janë deponuar deri më 5 shkurt, por nuk është i mandatuar për të pranuar lëndë të reja. Nga 5 shkurti deri më sot asnjë e mbijetuar e dhunës seksuale të luftës nuk ka mundësi të deponojë kërkesën si e mbijetuar e dhunës seksuale të luftës e më pastaj të përfitojë pensionin, ashtu siç parashihet me ligj. Çka ka krijuar një vakuum ligjor dhe ua ka pamundësuar grave dhe burrave, të cilët janë të përgatitur dhe janë duke pritur në proces për të aplikuar për njohjen e statusit të tyre si viktimë e dhunës seksuale”, thotë Rushiti.

Rushiti përsërit kërkesën që afati për aplikim mos të limitohet, meqë siç thotë ajo, në rajon të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë të drejtë të aplikojnë gjatë gjithë kohës.

Rushiti: Periudha prej dy vitesh nuk është e mjaftueshme për t’u njohur kjo plagë e luftës

“Plotësim-ndryshimi i ligjit ka filluar që nga marsi e deri më tani. Realisht organizatat jo-qeveritare që punojnë me të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës nuk janë pajtuar me afatin kohor, i cili parashihet me ligj, pra deri në maj të vitit 2025. Një periudhë prej dy vitesh, çka nuk është e mjaftueshme për t’u njohur kjo plagë e luftës, për shkak se natyra është shumë sensitive, kërkon specifika të veçanta, kërkon rehabilitim, kërkon diskutim në familje. Por, mbi të gjitha edhe me konventat ndërkombëtare nuk është dashur të afatizohet”, shton Rushiti.

Bosnje e Hercegovina nuk ka vendosur afat për aplikim të viktimave të dhunës seksuale, tregon drejtoresha e organizatës “Medica Zenica”, Sabiha Husic. Edhe ajo vlerëson se dy vjet nuk janë të mjaftueshme për t’u njohur kjo plagë e luftës.

Husic: Kjo periudhë nuk është absolutisht e mjaftueshme

“Ishte një delegacion nga Kosova në Medica, kemi biseduar me ta dhe ju kemi treguar qartë se ajo periudhë nuk është absolutisht e mjaftueshme, në Bosnje dhe Hercegovinë në federatë nuk kemi një periudhë të kufizuar deri, në të cilën gratë mund të paraqesin kërkesë për realizimin e statutit të viktimës civile së luftës. Pse mendoj se nuk duhet të ketë fare periudhë? Askush në këtë botë, asnjë ekspert, asnjë profesionist nuk mund të thotë kur një grua, një person që i ka mbijetuar përdhunimit, do të flasë dhe do të kërkojë ndihmë dhe mbështetje. Pra, është një formë suptile e dhunës, është një traumë që e ha gruan, tani flasim për gruan, nuk e dimë se çfarë do ta motivojë atë, çfarë do ta inkurajojë dhe fuqizojë që ajo të fol. Unë thjesht do të doja të dëgjoja arsyen dhe atëherë fola me delegacionin se pse duhet të ketë një afat kohor deri kur njerëzit mund të paraqesin kërkesë”, deklaron ajo për KosovaPress.

Ky kufizim kohor për njohjen e statusit ligjërisht nga shteti, siç thotë Husic, është edhe mesazh për mbyllje të historisë së luftës.

Husic: Çdo kufizim për dorëzimin e statusit do të thotë mbyllje e historisë

“Natyrisht, në fakt u dërgon një mesazh të mbijetuarve në kuptimin që në këtë mënyrë ata duan, si në disa vende të tjera, të mbyllin atë histori të luftës. Mirëpo, mbyllja e asaj historie me një procedurë të tillë do të thotë kontribut shtesë në traumën e vetë të mbijetuarës dhe se ajo nuk e ndjen atë besim dhe respekt, çdo kufizim në këtë rast që flasim për kufirin ligjor për dorëzimin e statusit, do të thotë disi mbyllja e historisë, mbyllja e dhimbjes në mënyrë që gratë ta trajtojnë (bartin) ashtu siç dinë dhe munden dhe në këtë mënyrë nuk rikthehet dinjiteti dhe respekti për gruan dhe as komunitetit ose ata që kanë fuqi vendimmarrëse, nuk dërguan një mesazh bashkëndjenje dhe se ata kujdesen për çdo grua që i mbijetoi përdhunimit dhe dhunës seksuale”, shton drejtoresha e “Medica Zenica”.

Për plotësimin-ndryshimin e ligjit që pritet të votohet së shpejti në kuvend, flet edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje. Ajo deklaron se po bëhet presion i panevojshëm për viktimat e dhunës seksuale.

Balje: Kemi bërë një hap të panevojshëm

“Unë mendoj se është një presion i panevojshëm për personin, i cili po dëshiron të lajmërohet në këtë adresë. Edhe unë kam pasur një shpresë se do të jetë si në Bosnje Hercegovinë ose në Kroaci, pa e limituar në kohë. Edhe unë kam shpresuar se ne mundemi ta bëjmë këtë. Sepse mendoj që është vërtetë shkelje e të drejtave, që të limitohesh me kohë se kur duhesh. Ne shumë herë kemi pasur kontakt me femrat edhe me meshkujt, i cili praktikisht po dëshiron të lajmërohet. Edhe e kemi pasur një rast, një grua, e cila ka pritur që dikush nga familja të vdesë dhe pastaj të lajmërojë veten si pjesë e kësaj kategorie të dëmtuar. Nuk mendoj se është mirë, kemi bërë një hap të panevojshëm”, thotë Balje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron për KosovaPress se propozimi për zgjatjen e këtij mandati se ka ardhur nga Komisioni Qeveritar. Sipas saj, në të ardhmen mund të ketë sërish kërkesa për zgjatjen e afatit për aplikim.

Haxhiu: Komisioni ka kërkuar zgjatjen e afatit prej dy vitesh

“Komisioni, i cili ka qenë i mandatuar që të adresojë këtë çështje na ka treguar që kanë nevojë për afat shtesë në raport me këtë çështje, gjegjësisht për aplikim të personave që janë dhunuar seksualisht gjatë luftës. Prandaj, si Qeveri e Republikës së Kosovës duke pasur parasysh që referuar raporteve vendore dhe ndërkombëtare flitet për 20 mijë persona të dhunuar gjatë luftës, pastaj kemi parë se sa është numri i aplikimeve. Sigurisht që kemi konsideruar që është e rëndësishme që ky afat të rritet. Në të ardhmen edhe mund të ketë kërkesa shtesë që ky afat të rritet sërish, por ne kemi vepruar në përputhje me kërkesat e komisionit, sepse ata kanë qenë në fakt personat përgjegjës që janë marrë me këtë çështje dhe kemi proceduar ndryshimin në Kuvendin e Kosovës”, deklaron Haxhiu.

E para e drejtësisë pret se kjo çështje të trajtohet shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës.

Haxhiu: Presim që kuvendi ta trajtojë me prioritet këtë çështje

“Qeveria ka proceduar këtë projektligj në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht këtë ndryshim. Tash presim që Kuvendi i Kosovës ta trajtojë me prioritetin e njëjtë sikurse edhe e ka bërë këtë qeveria”, përfundon Haxhiu.

Ndryshe, aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj. Statusi i viktimës së dhunës seksuale është njohur me ligj në vitin 2024. Ndërkaq, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat