Ish deputeti i LDK-së: Qeveria t’i dëgjojë SHBA-të, të dalë me draft statut për Asociacionin

Aktuale

Ish deputeti i LDK-së: Qeveria t’i dëgjojë SHBA-të, të dalë me draft statut për Asociacionin

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 06:46
Naser Rugova

Anëtari i  LDK-së, njëherësh ish deputet në Kuvendin e Kosovës, Naser Rugova, thotë se askush nuk mund t’i eskivojë themelimit të Asociacionit.

“Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar për shtetin e Kosovës që nga viti 2015, kjo çështje është punë e kryer dhe nuk mund t’i eskivojë askush”, thotë ai.

Rugova, në një prononcim duke folur për kërkesën e emisarit Gabriel Escobar për të nisur urgjentisht bisedimet për Asociacionin, shprehet se Kosova është pranuar në Bruksel e Ohër për formimin e tij.

“Edhe marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit, por edhe aneksi i zbatimit e pranuar me 18 mars në Ohër, e obligojnë Republikën e Kosovës ta formojnë këtë asociacion. Palët janë dakorduar që asociacioni dhe çështja e personave të pagjetur të jenë pikat e para në realizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve”, vlerëson ai.

Ish deputeti potencon se Qeveria duhet të dalë me draft statut për Asociacionin, teksa shton se Kosova është e lirë farë SHBA-ve dhe ne duhet t’i dëgjojmë sugjerimet e tyre.

“Është koha që qeveria e Kosovës të dalë me draft statutin dhe planin se si do ta zbatojë këtë pike të marrëveshjes. Ne jemi të lirë dhe të pavarur falë partnerit dhe aleatit tonë strategjik SHBA-ve, ne duhet t’i dëgjojmë sugjerimet e tyre dhe t’i bashkërendojmë veprimet. Besoj se pas ngjarjeve të ditëve të fundit, institucionet e Kosovës e kanë të qartë këtë dhe kanë filluar të reflektojnë në deklarimet publike”, vlerëson ai.

Ndërsa, sa i përket vizitës së Escobar dhe Lajçak në Kosovë nesër, Rugova thotë se do të jetë si presion mbi palët për të zbatuar marrëveshjet e arritura.

“Unë e shoh vizitën e Escobar dhe Lajçak nesër në Prishtinë dhe pasnesër në Beograd si presion mbi palët që të zbatojnë marrëveshjet për të cilat janë dakorduar dhe i kanë pranuar. Rrugë tjetër nuk ka. Nuk besoj se SHBA dhe NATO me vendet e QUINT lejojnë një krizë të re në Ballkan dhe po ashtu të luhet me autoritetin e tyre”, deklaron Naser Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat