​Anulohen dy seanca, gjykimi ndaj Shalës vazhdon me 16 qershor

Aktuale

​Anulohen dy seanca, gjykimi ndaj Shalës vazhdon me 16 qershor

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 16:39
Pjetër Shala

Ka përfunduar intervistimi i dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Procesi gjyqësor do të vazhdojë të premten e 16 qershorit me paraqitjen e provave nga ana e Prokurorisë, ndërsa seancat e tjera të planifikuara për këtë javë janë anuluar.

Dëshmitari i shtatë i Prokurorisë, i cili ka dëshmuar nën masa mbrojtëse sikur edhe gjashtë të tjerët para tij, është dëgjuar kryesisht në seanca të mbyllura për publikun.

Me pyetje nga Prokuroria, mbrojtja e Shalës, si dhe trupi gjykues, intervistimi i dëshmitarit me kodin 1 ka zgjatur pesë ditë.

Në mbylljes të seancës së sotme gjyqësore, trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Shalës lidhur me rishqyrtimin e vendimit për deklaratat e mëparshme të të akuzuarit.

Foglia: E rrëzojmë kërkesën e mbrojtjes së Shalës për rishqyrtim të vendimit lidhur me deklaratat e mërparshme të Shalës

“Trupi gjykues i ka marr në konsideratë parashtrimet e bëra nga palët përfshirë përgjigjet e ZPS-së dhe kundër-përgjigjet e mbrojtjes. E rrëzojmë kërkesën, së pari trupi gjykues vëren se rishqyrtimi nuk duhet të përdoret si një mjet i dytë apelimi apo për të riparashtruar kërkesën përpara trupit gjykues për të cilat është marr vendim përpara. Pranueshmëria e deklaratave të të akuzuarit është parashtruar si kërkesë trupit gjykues i ka leje mbrojtjes që të apeloj vendimin e vetë. Mbrojtja e ka bërë këtë gjë dhe Gjykata e Apelit ka marr vendim mbi këtë aspekt dhe e kanë lënë në fuqi vendimin e trupit gjykues, mbrojtja nuk mund të përdor rregullën 79 të rregullores për të rihapur çështje për të cilat është marr vendim... Trupi gjykues mendon se është të rëndësishme që të ruhet parimi i finalitetit, faktit që vendimi është i formës së prerë dhe konstaton që rishqyrtimi nuk është justifikuar për këtë arsye trupi gjykues rrëzon kërkesën e mbrojtjes ”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia.

Pjetër Shala, i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021, këtë seancë e ka përcjellur vetëm përmes video-lidhjes.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat