Ligji për Zgjedhjet, Haradinaj: Heq heshtjen zgjedhore që ishte kurth për ndëshkimin e subjekteve

Aktuale

Ligji për Zgjedhjet, Haradinaj: Heq heshtjen zgjedhore që ishte kurth për ndëshkimin e subjekteve

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 23:05
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, votimin me konsensus të Ligjit për zgjedhjet nacionale në Kosovë e ka quajtur lajm të “mrekullueshëm”.

Ai ka theksuar se ky ligj nuk paraqet një reformë thelbësore të sistemit zgjedhor, por ka adresuar disa prej shqetësimeve serioze që kanë qenë një brengë jo vetëm për AAK-në, por edhe për partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Haradinajt, ky ligj sjell lehtësime të mëdha për votimin e diasporës shqiptare, duke e mundësuar votimin fizik në përfaqësi diplomatike, si dhe votimin me postë.

“Ligji garanton numërim transparent e të mbikëqyrur të votave për kandidatë, shkurton kohën e numërimit për parti politike”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndër të tjera, ai ka thënë se ligji gjithashtu heqë “heshtjen zgjedhore” që sipas tij e kishte kthyer në kurth për ndëshkimin e subjekteve zgjedhore dhe inkurajon partitë politike të kandidojnë më shumë gra.

Haradinaj është shprehur shumë i lumtur për kontributin e jashtëzakonshëm të përfaqësuesve të AAK-ut në hartimin e këtij ligji, si dhe për arritjen e konsensusit politik që ka reflektuar edhe në votimin në Parlamentin e Kosovës.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shprehur mirënjohjen e tij për miratimin e legjislacionit të reformës zgjedhore nga Kuvendi i Kosovës.

Ai e ka quajtur këtë hap të mirëseardhur si një shembull i rezultateve të mira që arrihen kur partitë punojnë së bashku dhe me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat