Godet Remi: Shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, qëndruan jashtë vendit në pjesën më të madhe të luftës

Aktuale

Godet Remi: Shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, qëndruan jashtë vendit në pjesën më të madhe të luftës

Më: 17 korrik 2023 Në ora: 12:16
Rrustem Mustafa- Remi

Dëshmitari Rrustem Mustafa- Remi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, të hënën tha se shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kanë qëndruar jashtë vendit në pjesën më të madhe të luftës.

“Të gjithë qëndronin jashtë vendi, me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujes dhe komandantët e zonave, të gjithë të tjerët qëndronin jashtë vendit”, tha Remi.

Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të Veselit, avokatit Ben Emmerson, i cili e pyeti se a është në dijeni se disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, përveç Azem Sylës, qëndronin jashtë vendit për pjesën më të madhe të konfliktit nga nëntori ‘98 deri në mars ‘99, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përgjigjen e lartpërmendur, Mustafa e kishte dhënë në sesion privat gjatë disa pyetjeve të avokatit Emmeson, por më pas në seancë publike u lexua dhe u konfirmua nga dëshmitari.

Paraprakisht, dëshmitari Mustafa ka thënë se para kohës së Ramubujesë nuk e kishte ditur se Azem Syla ka qenë komandat i përgjithshëm i UÇK-së, duke vazhduar të thotë se tani e di se kështu ka qenë, por se personalisht kishte menduar se ai merret me logjistikë, pasi që bazën e ka pasur në Tiranë.

Tutje, pohoi se si komandant i zonës operative të Llapit nuk e kishte ditur se kush e ka marrë rolin e komandantit nga Shtabi i Përgjithshëm.

Andaj, tha se duke qenë se Bislim Zyrapi ka qenë në rolin e shefit të Shtabit të UÇK-së dhe se ka qenë person me përvojë ushtarake, ka qenë i mendimit se Zyrapi mund të kishte qenë komandant.

Mustafa u përgjigj me “po” në disa çështje që Emmerson e pyeti se pas marrëveshjes së Rambujesë ishte formuar Qeveria e përkohshme e Kosovës, se Azem Syla ishte bërë ministër i Mbrojtjes dhe se Bislim Zyrapi ishte bërë shef i kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në vazhdim, mbrojtja e Rexhep Selimit, ndonëse kishin planifikuar 5 orë pyetje për ish-komandant Remin, në këtë seancë kanë informuar gjykatën dhe të tjerët se nuk kanë pyetje për të bërë.

Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të Mustafës nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat