Lladrovci i kujton fjalët e Thaçit për emisarin e BE-së: Ishte vizionar, dikujt iu deshtën vite për ta njohur Lajçakun

Aktuale

Lladrovci i kujton fjalët e Thaçit për emisarin e BE-së: Ishte vizionar, dikujt iu deshtën vite për ta njohur Lajçakun

Më: 18 shtator 2023 Në ora: 17:20
Albin Kurti- Ramiz Lladrovci

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci i ka kujtuar fjalët e Hashim Thaçit në vitin 2020, kur ish-presidenti i bënte thirrje Bashkimit europian që të mos e emëronte atë emisar për dialogun Kosovë-Serbi.

“Ish presidenti Thaçi, ishte vizionar edhe në vitin 2020 kur theksoi se “duke mos e emëruar Lajçakun në pozitën e emisarit për negociatat Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian do të përmirësonte edhe kredibilitetin edhe një herë sepse Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën si shtet dhe ka votuar kundër Kosovës në UNESCO””, shkroi Lladrovci në një postim në Instagram.

Duke iu referuar Kurtit, Lladrovci shkroi se “dikujt iu deshtën vite për ta njohur Lajçakun”.

“Është më e dhimbshme kur sot, Kryeministri harron se çfarë deklaroi më 2020 për Lajçakun: “Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është atje në kufi me Meksikë. Thaçi më keq po flet për: Borrelin, Lajçakun e Brukselin sesa për Daçiqin, Vuçiqin e Beogradin. Borreli e Lajçaku nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë””, shkroi Lladrovci.

Ai shkroi edhe se “do përkujtuar e ritheksuar fjalët e ish-oficerit britanik, Douglas Young në Gjykatën Speciale në Hagë, për ushtarët e UÇK-së, citoj: “Kishin një karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të madhe e të lartë patriotike dhe kjo ishte shumë e dukshme””.

“Ne jemi të njëjtit, në vitet ’80, ’90, 2000 e këndej, ashtu siç e tha z. Young. Këtë, disa, për fat të keq, ende nuk e kanë marrë vesh!”, tha Lladrovci.

Paraprakisht, ai shkroi se “historia e afërt po harrohet për poenë politikë, por, dihet se liderët e vërtetë nuk i shohin llogaritë personale kur bëhet fjalë për shtetin dhe kombin, ashtu si Fehmi Lladrovci me shokë nuk mbante llogari se a ia vlente sakrifica”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat