Rikonfirmimi i masave - pushteti e quan padrejtësi, opozita thotë se rrezikojmë të tjera

Aktuale

Rikonfirmimi i masave - pushteti e quan padrejtësi, opozita thotë se rrezikojmë të tjera

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 14:42
Foto ilustrim

Vazhdimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, partia në pushtet po e quan të padrejtë. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, qeveria ka përmbushur të gjitha kërkesat nga marrëveshja e Bratisllavës për shtensionimin e situatës në veri, andaj masat duhet të largohen sa më parë. Në anën tjetër, nga opozita kritikojnë kryeministrin Albin Kurti për qasje të gabuar në dialog, derisa shprehin shqetësimin se masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të ashpërsohen.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë për KosovaPress se rikonfirmimi i masave ndëshkuese të Kosovës në deklaratën e sotme të Bashkimit Evropian është i padrejtë.

Megjithatë, ai shton se për herë të parë në një deklaratë të BE-së potencohen grupet kriminale në veri dhe bllokimi i marrëveshjes për energji nga Serbia.

Sipas tij, me kalimin e kohës edhe vetë BE-ja do të nënvizojë se Serbia po e saboton marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

Muja: Janë përmbushur të gjitha kërkesat për deeskalim në veri

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat sa i përket deeskalimit. Në rast që Bashkimi Evropian mendon që ka rrezik për eskalim është mirë që ata t’i theksojnë ose nënvizojnë se kush janë agjendë e dhunës. Në këtë rast, në këtë komunikatë mendoj se për herë të parë pas ca viteve me shumë vështirësi i dhanë dy të vërteta që ne i dimë. E para është grupet fashiste, ku potencohet, ata i referohen si grupe kriminale, sot u dha dhe kjo duhet të nënvizohet. Fakti që ne e dimë se Serbia është duke bllokuar marrëveshjen e zbatimit të udhërrëfyesit të energjisë, mezi i kishin nënvizuar gjërat që ne i dimë. Ata po ashtu do të fillojnë të nënvizojnë gjërat të tjera që ne i dimë, ku Serbia vazhdon të sabotojë çfarëdo forme të arritjes së marrëveshjes. Mendoj se kjo është një përpjekje e hapur nga Serbia për të sabotuar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Mendoj se me kalimin e kohës Bashkimi Evropian do të kuptojë se kjo ka qenë një lojë e keqe e Vuçiqit të cilën ne jemi mësuar me e pa që nga viti 2013”, thekson Muja.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj e sheh si shqetësuese për Kosovën deklaratën e Bashkimit Evropian për situatën aktuale të dialogut.

Ai thotë për KosovaPress se masat aktuale po e dëmtojnë Kosovën në vlerë rreth 500 milionë euro, derisa rrezikojmë që të ketë masa më rigoroze ndaj vendit.

Lekaj: Rrezikojmë masa të tjera ndëshkuese nga Bashkimi Evropian

Sa i përket masave të Bashkimit Evropian, apo më mirë të themi sanksioneve në vlerë prej 500 milionë euro që i kanë dëmtuar qytetarët e Kosovës dhe projektet që nuk po fillojnë dhe nuk po implementohen, tregon që Kosova duhet të jetë e vëmendshme, të ruaj atë që duhet për të ruajtur, por në këtë rast të jetë konstruktive me faktorin ndërkombëtar. Ky kryeministër i Kosovës po mundohet ta ruaj Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që e kemi ndërtuar së bashku Kosovën. Kjo s’do mend që me të vërtetë po e dëmton Kosovën dhe mund të kemi masa ndëshkuese të tjera nga Bashkimi Evropian”, thekon Lekaj.

Bashkimi Evropian, në një deklaratë për medie të martën ka nënvizuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës do të vazhdojnë të jenë të vlefshme. BE-ja ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia konstruktivitet në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit si dhe depërshkallëzimin e plotë të situatës në veri. Në të kundërtën, BE-ja ka kërcënuar se do të vlerësojë masa të tjera të mëtejshme ndaj dy palëve nëse është e nevojshme.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq më 14 shtator kanë pasur takimin e fundit në kuadër të dialogut në Bruksel. Aty nuk pati asnjë rezultat nga takimi i ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Kurti tha se ka propozuar një plan të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa ka kritikuar ndërmjetësit e dialogut dhe presidentin serb, Vuçiq se kanë insistuar vetëm në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat