Ish-kryeministri i Kosovës nga Lidhja Demokratike, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook që zgjidhja e përhershme afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet përmes dialogut, por edhe që hetimi ndërkombëtar të shtrihet edhe në Serbi, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Hoti, po ashtu ka bërë thirrje që të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat veriore.
Postimi i Avdullah Hotit:
Është shumë e rëndësishme që, krahas hetimit për sulmin terrorist, të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri.
1. Hetimet e institucioneve të Kosovës lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit duhet të jenë shumë profesionale e të kujdesshme, si dhe në koordinim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që janë të vendosura në Kosovë. Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar që duhet të ndërmerret për këtë sulm.
2. Është shumë e rëndësishme që, paralelisht me këto hetime, të punohet për normalizim të shpejtë të jetës së përditshme në ato komuna. Në këtë drejtim, duhet të vendoset komunikim i ngushtë me komunitetin serb në çdo lokalitet përmes këshillave lokale për t’i mbajtur të informuar dhe për t’i siguruar se do të kenë mbrojtjen e nevojshme. Qytetarëve atje, e kemi për obligim tu krijojmë ambient të sigurt që të dërgojnë fëmijët në shkollë, të kryejnë obligimet e tyre familjare e të punës, si dhe të lëvizin lirshëm.
3. Pikat kufitare duhet të hapen sa më parë dhe të normalizohet qarkullimi, por edhe të sigurohet mbikëqyrje e plotë e vijës kufitare nga ana e KFOR-it.
4. Ndërkaq, zgjidhja e përhershme afatgjate në veri duhet të jetë politike, përmes dialogut, dhe në koordinim të plotë me aleatët euro-atlantik, në veçanti SHBA-në.