Deputetja britanike thirrje Borrell-it dhe Von der Leyen-it: Largoni tash sanksionet ndaj Kosovës

Aktuale

Deputetja britanike thirrje Borrell-it dhe Von der Leyen-it: Largoni tash sanksionet ndaj Kosovës

Më: 29 tetor 2023 Në ora: 14:04
Alicia Kearns

Deputetja britanike Alicia Kearns, që është shefe e Komitetit për punë të jashtme në Parlamentin britanik, u ka bërë thirrje përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që t’i hiqen masat ndëshkuese që BE-ja ia ka vendosur Kosovës.

Ajo ka reaguar ndaj deklaratave që ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për median serbe të dielën.

Vuçiq tha se u ka bërë të qartë ndërkombëtarëve se nuk do t’i zbatojë pikat “që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe pranimin e saj në OKB”.

“Sërish Kosova punon me komunitetin ndërkombëtarë, përkundër sulmit terrorist të orkestruar nga Beogradi. Sërish Vuçiqi refuzon.

Largoni tash sanksionet ndaj Kosovës, @Josep Borrell e @Ursula von Der Leyen”, ka shkruar Kearns në platformën “X”.

Kujtojmë, se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai ka pasur gatishmëri për nënshkrim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve si dhe draftin e prezantuar nga emisarët perëndimorë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, mirëpo Vuçiq nuk e ka pasur të njëjtin disponim.

Kurse, nga ana e Serbisë, Vuçiq ka thënë se nuk mund të pranojnë asgjë që lidhet me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin saj në OKB.

“Nuk kam kërkuar asnjë letër anësore, siç ka thënë Kurti. Unë thashë se jemi të gatshëm t’i kryejmë obligimet tona dhe më pas vendosa presje dhe shtova se nuk mund të pranojmë asgjë që lidhet me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin në OKB. E kam thënë edhe në Ohër edhe në Kishinau, e kam thënë çdo herë”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat