Bislimi i reagon KE-së: Nuk u konsultua me Qeverinë e Kosovës për këtë vendim

Aktuale

Bislimi i reagon KE-së: Nuk u konsultua me Qeverinë e Kosovës për këtë vendim

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 17:14
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar ndaj propozimit të Komisionit Evropian që i lejon udhëtimin pa viza bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Në një reagim të tijin në ‘Facebook’, ai thotë se ky propozim s’është diskutuar me Qeverinë e Kosovës, si dhe s’janë koordinuar e informuar ekzekutivi kosovar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe.  Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë”, thuhet në njoftim.

Sipas asaj çfarë ka thënë Bislimi, propozimi i KE-së shkel edhe marrëveshjet për shuarjen e strukturave paralele në veri të vendit.

“Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel. Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza”, deklaron tutje Bislimi.

“Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%”.

Numri dy i Qeverisë i ka bërë thirjre BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat