Edhe dy muaj paraburgim ndaj Millun Milenkoviq-Llune, i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it

Aktuale

Edhe dy muaj paraburgim ndaj Millun Milenkoviq-Llune, i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 17:44
Foto ilustrim

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Millun Milenkoviq-Llune, i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it.

Në përgjigjen e gjykatës dhënë për “Betimi për Drejtësi”, thuhet se të dyshuarit Llune masa e paraburgimit i është vazhduar deri më 12 janar 2023.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me numër PPS.nr.103/22, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M edhe për dy muaj, gjykata ka marr aktvendimin me numër PPPS.nr.63/22 të datës 10.11.2023, me të cilën është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M deri me datën 12.01.2024”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Ndryshe, Milenkoviq-Llune është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulmi terrorist” që kishte ndodhur ndaj zyrave të Komisionit Komunal të zgjedhjeve-KKZ në dhjetor të vitit të kaluar, në të cilën ngjarje dyshohet se është i përfshirë edhe ish-zyrtari policor i Kosovës, Dejan Pantiq.

Po ashtu, Milenkoviq-Llune dyshohet edhe për veprat penale tjera të ndërmarra ndaj ushtarëve të KFOR-it, ku për këto dyshime Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke mbledhur prova dhe dëshmi që e implikojnë të njëjtit edhe në kryerjen e veprave tjera penale. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat